Siç mund të dallohet, LSI i qëndron paksa larg debatit të nxehtë të Babales apo të Nuhut. Ajo gjithsesi është e përfshirë në narrativën kriminalizuese të mazhorancës, por te këto dy “Fake News”-e me gjasë, ka mbajtur një distancë. Përse?
Kjo forcë, më saktë ish-kreu i saj Ilir Meta, sot president, është precedent i parë i këtij fenomeni; jo në videon e famshme me të ndjerin Dritan Prifti, por në akuzën e Tom Doshit se ka dashur të vrasë. Është një zhvillim që ia vlen të kujtojet si nisje, vijimësi e fund, tashmë që ngjashëm po ndodh dhe me të ashtuquajturat çështje “Babale” dhe “Nuhu”. Në javët e para të vitit 2005, pa pritur e pa kujtuar, deputeti Doshi u ngrit e tha se Ilir Meta ka dashur të vrasë, e këtë ia kishte thënë Durim Bami.
Kaq u desh dhe shpërtheu një gurgule politike ngjashëm si dhe sot. Edhe atëherë, te Doshi si akuzues, por dhe te opozita që ia nisi ta tjerrë për interesa politike, nuk ngrihej asnjë version hipotetik se përse Ilir Meta duhej të vriste Tom Doshin, për ç’hasmëri, ç’çështje, ç’përplasje apo llogarie të hapur. Jo! Ilir Meta ka dashur të më vrasë – thoshte Doshi dhe kaq mjaftonte për t’u ngritur një furtunë. Dhe dihet reagimi nervoz i Metës kur tha në një prej ditëve të debatit, duke iu drejtuar lidershipit demokrat, se nuk do ta jepte dorëheqjen, siç po këmbëngulej nga opozita; se e kish bërë njëherë diçka të tillë, por që – “Doktor…”, iu drejtua Meta Berishës, nuk do ja jepte sërish atë kënaqësi.
PS zgjodhi ta largojë Doshin nga grupi parlamentar në mënyrë që ai ta zgjidhte çështjen ligjërisht. Ishte Mark Frroku ai që më pas dekonspiroi gjithçka, pra atë që ishte sajuar nga Toma. Ky i fundit u ballafaqua me akuza për akuzë të rreme, duke kaluar disa faza ndëshkimore penale, deri në mbylljen e plotë të çështjes. “Vrasja” u harrua dhe Doshi kurrë nuk u morr më me të. As me Ilir Metën. Kalimi nga debati politik në hetim penal, bëri që akuza të zhvlerësohej kohë pas kohe deri në shuarje të plotë. Nuk do ishte interesante të dihej nëse Tom Doshi vërtet i mbahet dhe sot versionit se Ilir Meta donte ta vriste, më shumë se ajo që ç’mendon për Babalen dhe Nuhun…/tesheshi.com/