Ish deputeti dhe politikani Fadil Geci thotë se nuk ka mundësi për shkëputjen e shtetit nga krimi me koalicionin aktual PDK-LDK, sepse vendi ka dy kryeministra dhe se ministrat e moderuar nuk mund të punojnë me ministrat e kriminalizuar.
Duke u ndërlidhur me bllokadën në Kuvend, ai shprehet se të dy palët pozitë e opozitë e kanë keq sepse vendimet e mëdha për shtëpinë merren nga krejt meshkujt e shtëpisë, andaj thotë se duhet të bëhen bashkë dhe të bisedojnë.
“Presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova e bënte grupin e unitetit për punë të mëdha të Kosovës edhe pse mundej ta bënte edhe pa opozitën. Ka krizë, por këtu ka edhe politikë. Opozita mundohet të fitojë vota me këtë zhurmë. Nëse nuk jemi të kujdesshëm e nuk tregohemi të mençur dhe ajo mund të ndodhë (lufta civile). Kjo më së paku i konvenon Kosovës e përgjegjësia dihet mbi kë bie”, ka deklaruar Geci në një intervistë dhënë për gazetën ‘Bota Sot’.
I pyetur se si e sheh gjendjen momentale në LDK, parti për të cilën familja Geci kontribuoi shumë, Fadili ka thënë se LDK-ja momentalisht është mbyllur me dy tre persona që e kanë bllokuar hapjen e saj.
“Sa ishim afër me presidentin Rugova, tregon edhe renditja e deputetëve në mandatin e I dhe II, që e ka bërë vet ai pa i thënë askush, isha i renditur, i 13-ti në listë, që ishte një nder për mua. Ndërsa, këta që janë sot anëtarë të kryesisë, ose nuk ishin hiç ose ishin mbrapa shumë. Me një fjalë Fadil Gecin dhe vëllezërit Geci në LDK, nuk i do veç SHIK-u dhe PDK-ja, se ju prishte shumë emri jonë. Aty ku jemi ne, ata janë të veshkët-siç themi në Drenicë. Pak ju dëgjohet zëri ose hiç, prandaj më lehtë e kanë pa ne edhe disa të LDK-së që janë përkrahës të SHIK-ut”.
“Ka aty njerëz afër Isës që janë në politik vetëm për me hëngër bukë, servile. Nuk ka orë LDK-ja me Ismet Beqirin e dy a tre rreth tij, edhe pikë”, është shprehur Geci./te sheshi.com/