Gara e Australisë, e para në Formula 1 për sezonin e ri, ka ofruar momente ekzaltuese e frike. Nico Rosberg ka arritur ta kalojë i pari finishin e kësaj gare, falë një aksidenti që e ktheu përmbys fatin e gjërave në pjesën e dytë të saj.
Me një start të shkëlqyer, dy pilotët e Ferrari-t lanë pas ata të Mercedes-it në xhiron e parë. Një Vettel i papërmbajtshëm dukej i destinuar për ta fituar këtë garë. Por nuk qe e thënë për të që gjithçka të shkojë mirë. Një aksident i frikshëm ndërpret plotësisht garën. Alonso ka tentuar të parakalojë Gutierrez-in, por ka gabuar, duke u prekur me makinën përpara dhe duke përfunduar në ajër. Nga makina e mbetur një grusht hekurash ai ka dalë mrekullisht në këmbë.
Me garën të rinisur pas shumë minutash, janë tashmë makinat Mercedes që vendosin ritmin. Strategjia më e mirë e tyre në vendosjen e gomave jep rezultat. Nico Rosberg merr kryesimin pas futjes së Vettel-it në bokse, për të mos e lëshuar më. Vendi i parë për gjermanin është nisja më e mirë e mundshme në një sezon ku ai kërkon medoemos të shpallet kampion.
Hamilton e Vettel luftuan më pas për vendin e dytë. Të dy pilotët gabuan në një moment të garës, por në fund vendi i dytë i buzëqeshi britanikut.
Paraqitja e Ferrari-t ngjan të jetë lajmi më i mirë për këtë sezon të ri. Skuadra italiane ka treguar sot se është e vetmja që mund ta rivalizojë denjësisht Mercedes-in. Ndërkaq, Raikkonen, ashtu si shpesh në vitin e shkuar, u tërhoq pas problemeve në makinë, edhe pse po bënte një garë të mirë.
Në pistën e shtëpisë, Ricciardo i Red Bull-it bëri aq sa mundej, e zuri vendin e katërt. Më pas erdhi Massa i Williams-it, në pozicionin e tij klasik. Sukses ka arritur skuadra e re Haas, piloti i së cilës, francezi Grosjean, mbërriti i gjashti në finish. Dhjetë vendet e para i plotësuan Hulkenberg, Bottas, Sainz e Verstappen.
Gara e dytë sezonale është në Bahrejn pas dy javësh. /tesheshi.com/