Ekipi turk i Fenerbahçes, pretendenti kryesor për ta fituar këtë sezon Euroleague-n, aktivitetin më me prestigj në basketbollin e meshkujve në Europë, ia doli mbrëmë të fitojë ndaj Lokomotiv Kuban Krasnodarit, duke e siguruar kështu kalimin për në fazën playoff.
Ndeshja mes Lokomotiv Kuban Krasnodarit dhe Fenerbahçes u mbyll 52-55, dhe qe fitorja e nëntë e turqve në dhjetë javë të fazës në grupe me 16 skuadrat më të mira të kontinentit. Vendasit e Lokomotivës arritën të fitojnë vetëm në dhjetëminutëshin e tretë të lojës, ndërsa në pjesët e tjera epërsia u takoi miqve.
Katër periodat e lojës u mbyllën kështu, 13-17, 12-13, 19-13 dhe 8-12, kurse shënuesi më i mirë qe Bogdan Bogdanoviç i Fenerbahçes, me 17 pikë.
Për grupin E u luajt dhe takimi Cedevita Zagreb – Unicaja Malaga, i cili përfundoi 78-91.
Në grupin F u zhvilluan dy ndeshje në mbrëmjen e së enjtes. Brose Baskets Bamberg – Olympiacos Piraeus u fitua 72-71 nga pritësit. Takimi tjetër, Laboral Kutxa – Khimki Moscow Region përfundoi 98-83. /tesheshi.com/