Shoqata Evropiane e Futbollit UEFA ka urdhëruar Ukrainën të heqë parullën “politike” nga fanella e ekipit kombëtar që do të luajë në Kampionatin Evropian që sapo nis. Mesazhi “Lavdi heronjve tanë” brenda jakës së fanellës është “natyrisht, qartësish politik”, sipas një deklarate të UEFA.
Agjencitë kujtojnë se kjo parullë shpesh thirrej gjatë revoltave në vitin 2014 në Ukrainë, kur udhëheqësi Viktor Janukoviç, i cili kishte mbështetjen e Kremlinit Rus, u përmbys.
Vendimi i UEFA-s erdhi pasi Rusia u ankua për paraqitjen e fanellës së verdhë të Ukrainës në të cilën u vizatuan kufijtë e shtetit së bashku me Krimenë, të cilën Rusia aneksoi, dhe rajonet e Donetsk dhe Lugansk të cilat janë nën kontrollin e separatistëve.
UEFA shprehet se harta nuk është problem sepse rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të KB “njeh kufijtë territorialë në masën që ato janë tërhequr”.
Gjithashtu u vendos që fraza në pjesën e jashtme të fanellës – “Lavdi Ukrainës” – ishte e pranueshme në vetvete sepse mund të konsiderohej një “frazë e përgjithshme dhe jo-politike me rëndësi të përgjithshme kombëtare”.
Por dhe kjo thirrje u përdor nga protestuesit kundër Janukoviçit gjatë të ashtuquajturit “Revolucion Maidan” shtatë vjet më parë.
Sidoqoftë, organi drejtues i futbollit evropian deklaron se “kombinimi specifik” i dy parullave në fanellë është “natyrisht, qartësisht politik” dhe ka domethënie historike dhe militariste. Prandaj, u përcaktua që parulla “Lavdi heronjve tanë” duhet të hiqet.
Një fushë sportive, jo një fushë beteje
Rusia e mirëpriti menjëherë lëvizjen e UEFA-s dhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zaharova tha se sporti nuk duhet të ngatërrohet me politikën.
“Sporti nuk është një fushë beteje por një vend për konkurrencë; nuk është një arenë politike por një konkurrencë. Bëhuni heronj të sportit dhe do të keni lavdinë tuaj, bëjeni kështu dhe jo me parulla nacionaliste,” vuri në dukje ajo.
Ukraina thotë se fanella është një simbol i unitetit kombëtar dhe Presidenti Volodimr Zelensky postoi një selfie në Instagram me një fanellë të tillë këtë javë.
Ukraina do të luajë ndeshjen e parë të EURO-s kundër Hollandës më 13 qershor në Amsterdam, ku në grup, atë C, është me Austrinë dhe Maqedoninë Veriore. Nga ana tjetër, Rusia luan në Grupin B kundër Belgjikës, Danimarkës dhe Finlandës, ndeshje në shtëpinë e saj, në Petërsburg. /tesheshi.com/