Nga Gëzim Hashimi
Në këndin sportiv të një prej shkollave të mesme të Korçës, shikohen herëpashere një grup fëmijësh që luajnë futboll të drejtuar nga një personalitet i futbollit shqiptar: Teodor Vaso, tani 74 vjeç.
Edhe pse pra në një moshë të thyer, ku bashkëmoshatarë të tij ndoshta mbahen në këmbë dhe me ndihmën e ndonjë bastuni, ai shpërfaqet si një i ri, të paktën nga pasioni për t`u mësuar futbollin të vegjëlve, duke mos e hequr prta as vetë topin prej këmbëve.
Dhe kështu pra, ai i plotëson më së miri normat për të qenë në njëmbëdhjetshen e veteranëve që do zhvillojë së afërmi një miqësore me Gjermaninë. Sepse, përballë “dojçve” (doçët e doçërve në futboll!”), ai ka lujtuar dhe më 17 Dhjetorit të vitit 1967.
E tani pra, ai stërvit fëmijë.
“Unë i stërvis këta fëmijë që vijnë nga familje të thjeshta korçare, sepse ma kanë kërkuar prindërit e tyre. Nuk kanë aktivitet kampionati, por nëpërmjet punës sime mundohem të nxjer talente që nesër ndoshta mund të vazhdojnë futbollin profesionist. I stërvis si puna e atyre instumentistëve që duan një profesionist më vete. Vetë fëmijët edukohen nëpërmjet futbollit dhe unë, edhe pse jam 74 vjeç, tani nuk e kam aspak problem moshën për këtë punë që bëj. Që nga viti 1955 e deri tani vazhdoj të jem i pashkëputur nga futbolli.”
Si e keni nisur sportin dhe ku keni luajtur?
Kam nisur aktivitetet sportive si atlet në vitin 1955. Ndërsa si futbollist e nisa me Dinamon, Partizanin, 17 Nëntorin, Skënderbeun. Kam luajtur edhe me ekipin kombëtar. Kam zhvilluar 8 ndeshje zyrtare ndërkombëtare dhe 10 miqësore me përfaqsuesen tonë.
Regjistroj 20 ndeshje ndërkombëtare me Partizanin e Skënderbeun. Kur u shkëputa nga futbolli i luajtur, kam punuar si trajner i të gjitha llojeve të ekipeve. Para 6 apo 7 vitesh, luanim me veteranët e Korçës kundër një ekipi në Greqi dhe unë isha i vetmi në këtë moshë që u aktivizova.
Meqë ra fjala tek këto miqësore, meqë jeni aktivizuar në moshë rreth 70-vjecare, me këtë formë sportive që tregoni a mund të luanit në këtë miqësoren që do të zhvillohet me Gjermaninë, sepse kini kujtime të paharueshme nga përballjet me kampionët e botës?
Për këtë miqësore ka mjaft veteranë që mund të luajnë. Varet nga Federata Shqiptare e Futbollit se kë do të përfshijë në listën e kësaj miqësoreje. Por, nuk ka shenja që të më thërrasin mua, edhe pse e them me bindje se mund të luaja pa problem e të provoja sërish veten kundër gjermanëve. Sidoqoftë, ne e kemi treguar një herë veten kur mposhtëm gjermanët në Tiranë dhe me barazimin që mbajtëm atëhere bëmë që të eleminohen kampionët e Botërorit 1954 dhe nënkapionët e botës të vitit 1966.
Jeni përballur disa herë më gjermanët në futboll, por cilat janë disa nga kujtimet më të veçanta?
Unë kam zhvilluar 6 ndeshje ndërkombëtare me gjermanët. Dy prej këtyre ndeshjeve për kupën e skkuadrave kampione dhe 4 të tjera me përfaqsuesen e RFGJ-së. Ndeshjet me Këlnin, skuadër kampione e vitit 1964 janë për mua të paharueshme. Pas një barazimi 0-0 në Tiranë, edhe ndeshja e kthimit në Këln po shkonte drejt një barazimi të bardhë deri në minutën e ’80-të. Pas një loje jashtëzakonisht të egër nga kundërshtari, ekipi ynë i Partizanit me të cilin luaja, humbi me një gol.
Gjermanët e përjetuan me shumë tension këtë ndeshje.Presidenti i skuadrës së Këlnit, në darkën që na shtroi më pas, na tregoi se pati dy viktima nga infarkti midis spektatorëve.
Atëhere, të vijmë tek ndeshjet e kombëtares sonë me Gjermaninë…
Pas tre viteve nga kjo ndeshje dramatike me Këlnin, do të luhej takimi RFGJ-Shqipëri në stadiumin e qytetit të Dortmundit. Ne humbëm atë ndeshje me rezultatin e thellë 6 me 0, por kjo mendoj se ishte pasojë e një kompromisi sportiv me skuadrat e kryeqytetit, për të futur në ekip sa më shumë lojtarë të tyre.
Madje edhe Teodor Vaso (thotë për veten pra), që atë kohë ishte lojtar i Skënderbeut të Korçës, jepet në shtyp si lojtar i Partizanit duke qënë se bënte ndeshje ndërkombëtare me Partizanin. Situata në grup për ekipin tonë nuk ishte aspak e mirë kur do të vinim në ndeshjen e kthimit me RFGJ-në. Kishim humbur dy ndeshje me kombëtaren e Serbisë. Nga ana tjetër, përfaqsueses së RFGJ-së i duhej patjetër të fitonte se ndryshe eleminohej, ashtu siç edhe ndodhi. Për kombëtaren tonë, përgatitjet u morën shumë seriozisht. Mjafton të kujtoj se kemi qëndruar një vit të grumbulluar sepse do të luanim kundër një skuadre që ishte në elitën e futbollit të kohës.
Pra nuk kishte kompromise për këtë ndeshje?
Në raste të tilla nuk bëhet fjalë për kompromise. Lojtari luan për emrin e kombit dhe të vetin. Dua të theksoj se atëhere dinjiteti sportiv ishte pothuajse absolut. Vetë emri i një kampioni bote të angazhon maksimalisht dhe me këtë sedër, me këtë përgjegjësi, ekipi hyri në fushë. Pastaj ishte edhe një psikologji dhe një taktikë e të madhit Loro Boriçi që ndërtoi një 11-she me lojtarët më në formë duke iu përgjigjur kështu potencialit të lojtarëve gjermanë. Një e papritur e madhe për ne ishte se gjermanët mbërritën në Tiranë pa Bekenbauerin.
Dhe loja luaj si pjesë e ekipit tonë kombëtar?
Një tjetër veçanti e këtij takimi të zhvilluar në datën 17 Dhjetor të vitit 1967 ishte se ndeshja zhvillohej në kushtet e një rregulloreje kur nuk lejoheshin ndër$rimet. Vetëm për atë vit ishte në fuqi kjo rregullore. Unë luaja si mbrojtës i majtë. Luaja kundër sulmuesit të djathtë të RFGJ-së Helt, i cili në kampionatin botëror të vitit 1966 në Angli ishte cilësuar si shpresa e gjermanëve.
Bllokimi nga ana ime ishte total. Gazeta Sporti Popullor shkruante atëhere se deri në minutën e ’30-të po zhvilloja një lojë të shkëlqyer. Pas kësaj minute, më ndodhi një aksident i rrallë: duke marë një top nga mbrojtja, nisem në sulm jo nga anësorja por nga qendra. Ndërsa vrapoja shumë shpejt u gjenda para qendërmbrojtrësit gjerman Shulc.
Në një top të diskutueshëm, e preka topin i pari për ta nisur drejt zonës së portës gjermane. Unë me topin afër vijës fundore tentova kalimin e qëndrëmbrojtësit gjerman, i cili me një sparkadë të shkëlqyer goditi topin dhe, nga forca e madhe më shkaktoi traumë në këmbën e majtë.
E ndjeva dëmtimin por në ato çaste nuk isha i vetëdijshëm për pasojën.
Këtu pësuat dëmtimin që ju bëri edhe më të famshëm sepse luajtët minutat e mbetura me këmbën e goditur rëndë, apo jo?
Siç e thashë, e ndjeva dëmtimin por pasojën akoma nuk e dija. Pas pak e ndjeva se nuk mund të vrapoja. Jo më kot e përmenda më lart se kishte një rregullore atë kohë që nuk lejoheshin ndërrimet, dhe unë isha i detyruar të sakrifikoja shumë për vazhdimin e ndeshjes që gjithsesi përfundoi me rezultatin 0 -0.
Ky barazim u kushtoi shumë gjermanëve sepse i eliminoi ata nga finalet e Botërorit të vitit 1968 që zhvillohej në Itali.
Shtypi botëror kishte në qëndër të vëmendjes kombëtaren shqiptare atëhere.
Keni edhe momente të tjera kur jeni vlerësuar për lojën tuaj në fushë…
Në vend të RFGJ-së së eleminuar, në finalet e botëroorit shkoi Jugosllavia. Mbaj mend se në ndeshjen e kthimit që ne e humbëm me rezultatin 4-0, para takimit, në portë ishin futur 10 topa për të na dhënë mesazhin se do të humbnim me këtë rezultat.
Thuhej dhe pritej që Xhaiçi, ylli i futbollit jugosllav atëhere, do të shënonte 4 gola. Fakti që unë luaja ndaj tij dhe Xhaiç nuk ariti të shënonte asnjë gol, u vlerësua shumë në shtypin jugosllav. Ndërsa gazeta jonë e vetme sportive shkruante për formë të dobët të Xhaiçit dhe jo për lojën timë si mbrojtës.
Një rast tjetër ka qënë në Stamboll. Pas fitores sonë 3-0 me turqit në Tiranë, ekipi turk në tetor të 1971-shit fiton 2-1 në stadiumin ‘Mitat Pasha’ të Stambollit, në prani të 50 000 spektatorëve. Shtypi turk dhe gazeta më e madhe turke ‘Hurriyet’ vlerësoi për këtë ndeshje maksimalisht, me 4 yje, mesfushorin rregullator Teodor Vaso dhe me tri yje katër lojtarë të tjerë, shqiptarë dhe turq.
Midis tyre mbrojtësin Astrit Ziu, që bëri dhe golin, si dhe Sabah Bizi, i palodhuri i ekipit tonë.
Përsëri shtypi ynë në Tiranë, për çudinë e të gjithëve, nuk përmendi asgjë nga kjo ndeshje.
Kontributi juaj si futbollist me kombëtaren ka qënë mjaft i madh. Dhe çfarë ka përfituar futbollisti, mbrojtësi i jashtëzakonshëm Teodor Vaso?
Jetoj me një pension prej 110 euro në muaj. Jemi të dy me gruan, dhe siç e shikoni pas takimeve me shokët, seancave të stërvitjes me këta djem, më duhet të bëj pazarin dhe të kthehem në shtëpi. Në qytetin tim, në Korçë, jam nderuar si futbollisti i shekullit, në një aktivitet të zhvilluar në vitin 1998.
Ndiej një krenari të ligjëshme për këtë vlerësim. Ne kemi qenë një brez lojtarësh që ndryshe nga kolegët tanë në botën demokratike, nuk përfituam asgjë dhe sakrifikuam shumë për ta ngritur futbollin atje ku e ngritëm.
Po për Skënderbeun, që pritet të shpallet kampion kombëtar për herë të pestë radhazi, çfarë do të thoshit?
Sigurisht që krenohem me Skënderbeun. Krenohem, por jo si atëhere kur luanim ne. Ishim të pastër dhe nuk i lejonim vetes pazare pikësh dhe parash. Futbolli ynë sot është tërësisht i kategorisë së dytë për shumë arsye, por kryesorja është se lojtarët e kombëtares sonë luajnë jashtë dhe nuk kontribuojnë në rritjen e cilësisë së futbollit shqiptar.
Me keqardhje them se edhe në të ardhmen nuk do të kemi futboll cilësor, sepse askush nuk kujdeset për fëmijët tanë, pasi mes tyre ka jo pak talente.
Terrenet ku stërviten ata, janë tmerrësisht të papërshtatshme dhe shoqëria jonë nuk është e gatshme të luftojë anti-futbollin, i cili na rrethon nga të gjitha anët dhe po i merr shpirtin kësaj loje magjike. /tesheshi.com/