Nga Roald A. Hysa
Esat Pashë Toptani mbetet edhe sot një nga figurat më enigmatike të historisë shqiptare të shekullit të kaluar. Historianët shqiptarë janë marrë shumë me këtë figurë dhe gjithmonë ka rënduar dilema, hero apo tradhtar?!… Për Avni Rustemin me shokë ai ishte një tradhtar që duhej hequr qafe, po ashtu edhe për historinë e regjimit komunist, që tek Esat pasha shihte latifondistin, beun që i merrte shpirtin popullit, dhe politikanin dinak që donte të shkatërronte fatet e atdheut. Ndërsa për disa të tjerë nuk ishte dhe nuk është kështu, fakte të ndryshme janë heshtur dhe janë përmendur në margjinat e kornizës historike. Një herë e një kohë në shtypin e shkruar ndiqej nga afër Esat pasha për qëndrimet politike, ndërsa sot gazetat e kujtojnë më tepër për një parfum francez, që mban emrin e “Esad Paschia”. Qëndrimet e tij ngjajnë kontroversiale dhe rëndom janë etiketuar si qëndrime armiqësore ndaj kauzës shqiptare. Pinjoll i një familje të shquar të Shqipërisë së Mesme me pasuri të pafundme dhe gjatë qëndrimit në Perëndim, Francë, Itali e gjetkë bën jetën e një nababi indian duke harxhuar shuma marramendëse jo vetëm për atë kohë, por edhe për sot do të zinte vendin kryesor në tabloidët e aristokracisë së lartë dhe të shpenzuesve pa karar. Në përfundim të një lufte shumë të ashpër ndërmjet Bargjinëve tiranas dhe Toptanasve krutanë aty nga mesi i shek. XIX këta të fundit ia dalin të marrin parinë dhe drejtimin e Tiranës pas betejash të ashpra, të cilat i kushtuan shumë Tiranës dhe zhvillimit ekonomik të saj. Toptanët e lidhin prejardhjen e tyre me familjen e mirënjohur të Topiajve të kohës së Skënderbeut, të cilët u konvertuan në myslimanë, e më pas morën mbiemrin Toptan (Topia-dan< i Topiajve, bie grupi zanoreve ‘ia’- bashkëtingëllorja d bëhet t dhe kemi Toptan).
Esat Pasha lindi në vitin 1863 dhe u vra nga Avni Rrustemi më 13 qershor të vitit 1920 në Paris, Francë, e ai ka qenë një politikan dhe kryeministër shqiptar. Esat pasha kreu detyrën e kryeministrit të Shqipërisë nga 12 tetori i vitit 1913 e gjer më 12 shkurt të vitit 1914, si dhe nga 5 tetori i vitit 1914 e gjer më 24 shkurt të vitit 1916. Një nga gjërat me të cilat e akuzojnë rëndom Esat Pashën është se gjatë Rrethimit të Shkodrës nga malazezët vrau komandantin turk Hasan Riza Pashën për të marrë në dorë frenat e luftës dhe për t’ia dorëzuar malazezëve Shkodrën. Në një botim në shqip të një autori turk “Hasan Riza Pasha dhe rrethimi i Shkodrës” nuk jepet ndonjë argument i qartë mbi këtë ngjarje të supozuar dhe deri tashti përveç zërave historia nuk ka arritur të prodhojë fakte mbi vrasësin e vërtetë të Hasan Riza Pashës. Ja se çfarë na përcjell një nga historianët e sotëm mbi rrethimin e Shkodrës (tetor 1912-23 prill 1913): “Korrespondenti i periodikes “La Civilta Cattolica” shkruante: “Gjithë muaji janar ishte i ftohtë e me reshje… por gjendja bëhej edhe më e vështirë nga uria. Frika ishte nga ndonjë kryengritje e ushtarëve, pasi që redifët e Esat Pashës, të lodhur tashmë nga rrethimi, kërkonin të largoheshin nga fronti. Ishin thirrur për disa javë, me paga dhe premtime; por më në fund, tetëqind prej tyre dolën të gjithë bashkë nga Shkodra. Pas tyre u vunë me vrap dy pashallarët që mundën t’i ndalojnë vetëm në Bërdicë, pasi që Esati iu betua se brenda pesë ditëve gjithçka do të merrte fund, e do të ktheheshin shëndoshë e mirë në shtëpitë e tyre”. [La Civilita Cattolica; Relazione Dell’Assedio di Scutari 1912-13, pg. 632] Në fakt, ai i mbajti për tre muaj me radhë, në beteja të përgjakshme. (Xhafer Sadiku)
Gjatë viteve 1918 – 1920 Esat Pasha përpiqej që përmes aktivitetit të tij në mërgim në Paris, Francë të përfaqësojë Shqipërinë në Konferencën e Paqes përkundër asaj se delegacioni shqiptar nuk e përkrahte, madje të gjithë pjesëtarët e këtij delegacioni ishin kundërshtarë të hapët politikë të Esatit. Por më shumë në këtë drejtim na ndihmon një letër e kryeministrit francez të kohës.
Emri i Esat Pashë Toptanit përmendet në një letër të kryeministrit francez, Aleksandër Mileran (njëkohësisht edhe president i Konferencës së Paqes në Versajë) më 30 janar 1920, drejtuar Fuqive të Mëdha. Në letrën e tij ai flet për dëmet që i ishin shkaktuar Shqipërisë dhe Esat Pashë Toptanit dhe familjes së tij gjatë bombardimeve të Durrësit. Në letër shprehet qartë, se sipas Aleksandrit, fakti që Shqipëria qëndroi përkrah vendeve të Antantës ishte meritë kryesore e Esatit, duke i dhënë këtij të fundit edhe një meritë të madhe ushtarake dhe morale. Me sa duket nga letra, Esat Pasha ka ndihmuar sistematikisht ushtritë serbe dhe kjo tregon një besnikëri të tij ndaj Fuqive të Mëdha, të cilat e kishin urdhëruar Esatin për një gjë të tillë. Kryeministri francez nuk limitohet me kaq, por ai e falënderon komandantin shqiptar për ndihmën e tij të çmuar në Luftën e Selanikut. Në këtë betejë Esat Pasha operoi si pjesë e divizioneve franceze dhe supozohet se ai ka mbajtur peshën më të madhe në frontin prej 30 kilometrash të Frontit të Selanikut.
Por ajo që e vulos ndihmën e dhënë për njohjen e Shqipërisë dhe ruajtjen e sovranitetit të kufijve politike dhe fizikë është qëndrimi pro-amerikan i Esat pashës, që në këtë pikë është i përbashkët me atë të delegacionit shqiptar në Paris, pra edhe me atë të Mehmet Konicës e diplomatëve të tjerë shqiptarë që negociuan për Shqipërinë. Një seri gazetash londineze e kishin bërë të njohur publikisht në Perëndim emrin e Esat Pashës, si “The Daily News”, “Leader” dhe “The Spectator”, duke botuar biografinë e tij. Kjo i shërbeu shumë atij si figurë politike dhe i siguroi atij një vend nderi si diplomat i parë në sytë e diplomacisë evropiane. Sipas studiuesit Hari Silajxhiç ai arriti që në mesin e prillit 1919 të takohej në Paris me presidentin amerikan Udrou Uillson. Gjatë bisedës ai i tha presidentit Uillson, se më e pakta që ai priste ishte që Shqipëria të mbetej në kufijtë e vitit 1913. Edhe ai si diplomatët e tjerë shqiptarë kërkoi nga Uillsoni që SHBA të pranojë mandatin mbi Shqipërinë, duke shprehur besimin absolut të Shqiptarëve tek SHBA. Madje emri i Esat pashës figuronte në programin e takimeve në mbledhjen e ministrave të jashtëm të Konferencës së Paqes më 9 maj 1919. Por kjo nuk hasi në mirëkuptimin e delegacionit shqiptar, i cili protestoi ashpër ndaj Esat Pashës, duke e cilësuar si intrigant, dhe që nuk do të mirën e Shqipërisë. Pavarësisht qëndrimeve të ashpra të delegacionit shqiptar dhe protestave të Çarls Telford Erikson, i cili shoqëronte delegacionin shqiptar dhe kishte kontribuar gjallërisht për njohjen e kauzës së drejtë shqiptare në SHBA dhe pranë delegacionit amerikan në Paris, si dhe të Parashqevi Qiriazit, qëndrimet dhe veprimet e Esat Pashës si “një diplomat mjeshtër i shkollës së vjetër” sipas Silajxhiçit arritën të kenë një ndikim pozitiv dhe ta kalojnë Shqipërinë në krahun e forcave të Antantës. /tesheshi.com/