“Dënoj ashpër ata që e kryen këtë egërsi”, u shpreh Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan në lidhje me sulmin terrorist të ndodhur sot në qytetin turk kufitarë, Suruç ku humbën jetën të paktën 28 persona dhe u plagosën rreth 100 të tjerë.
Presidenti Erdogan i cili ndodhet për një vizitë në Republikën Turke të Qipros së Veriut me rastin e 41 vjetorit të festës së Lirisë dhe Paqes së këtij vendi ka komentuar sulmin terrorist që ndodhi në juglindje të Turqisë duke thënë se: ” Kjo ngjarje na ka zhytur në një trishtim të thellë. Në emër të popullit të Turqisë dënoj ashpër ata që e kryen këtë egërsi”.
Erdogan për ngjarjen në fjalë ka reaguar gjatë një konference të përbashkët me homologun e tij të Republikës Turke të Qipros së Veriut.
Në fjalën e tij gjatë kësaj konference ai nuk ka lënë pa përmendur edhe bisedimet për paqe mes dy Qiprove duke thënë se: “Jam i lumtur që shikoj se grupet teknike janë duke punuar shumë për të arritur një marrëveshje. Një marrëveshje e tillë duhet të arrihet në bazë të një barazie politike. Shpresoj që këto takime të vazhdojnë deri sa të merret një vendim përfundimtar”.