Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kritikoi të martën vendet evropiane dhe perëndimore për mbrojtjen e organizatave “terroriste”, duke përfshirë Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe lëvizjen e imamit Fethulhah Gulen, i cili ndodhet në mërgim në Shtetet e Bashkuara.
“Ndërsa ne po shkatërrojmë foletë e terrorit, anëtarët e organizatave terroriste kanë ngritur hapur kampe për veten e tyre në disa vende të tjera. Vrasësit që derdhën gjakun e qytetarëve tanë pranohen pothuajse në të gjitha vendet e Europës, veçanërisht në kampin e Lavrionit në Greqi. Ata mund të ecin lirisht atje”, tha ai në një tubim në selinë e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Turqi në Ankara.
Këto deklarata të Erdoganit erdhën një ditë pasi një polic u vra dhe një tjetër u plagos në një sulm të PKK-së në një stacion policor në provincën jugore turke të Mersinit, raporton Anadolia.
“Terroristët janë një kërcënim për paqen dhe sigurinë e vendeve perëndimore që mbrojnë grupet terroriste”, paralajmëroi ai dhe shtoi se pret që të gjitha vendet, veçanërisht fqinjët e Turqisë, “të marrin masat e nevojshme kundër organizatave terroriste”.
“Fuqia jonë është përtej tyre”
Lidhur me aktivitetet ushtarake të Greqisë, Erdogan tha se “Turqia i di shumë mirë qëllimet e atyre që nxisin Athinën”.
“Armët e grumbulluara në Trakinë Perëndimore dhe në ishuj nuk do të thonë asgjë për ne, sepse fuqia jonë është shumë mbi to, por ju kujtojmë se kjo do të thotë pushtim i fshehtë”, tha ai.
Erdogan tha se Turqia nuk dëshiron që detet Egje dhe Mesdhe të mbulohen me gjak njeriu, lot apo armiqësi.
Ne duam paqe dhe qetësi me gjithë zemër”, përfundoi Erdogan. /tesheshi.com/