Presidenti turk Rexhep Tajjip Erdogan nderoi shqiptarin e Kosovës me mision humanitar, të shumënjohurin Halil Kastrati.
Njeriu që drejton një fondacion bamirësie prej vitesh në Kosovë, “Jetimët e Ballkanit”, por që aktivitetin e ka shtrirë tej jetimëve, si fjala vjen te moshat e treta, duke ndërtuar shtëpi të moshuarish, morri Çmimin e Mirësisë nga lideri turk në një ceremoni të veçantë në Ankara, akorduar nga Fondacioni i Dijanetit të Turqisë (TDV).
“Duke e ndje këtë çmim obligim dhe motivim për punët në misionin tonë, këtë çmim ia dedikoj të gjithë donatorëve të shoqatës sonë.
Faleminderoj Presidentin Erdogan!
Kryetarin e Dijanetit të Turqisë Prof.Dr. Ali Erbash, Drejtorin e Përgjithshëm të Fondacionit të Dijanetit të Turqisë z. Izani Turan, për nderin që më bënë.
‘Mëshironi në Tokë që të mëshiroheni nga Qielli’
Bamirës, Zoti kurr mos ju humbtë!”, janë fjalët e tij pas marrjes së çmimit.
Halil Kastrati është ekuivalent kosovar i Elvis Naçit në Shqipëri, me të përbashkëtat e të veçantat e tyre në mision humanitar.
Kujtojmë që Halil Kastrati u angazhua fuqishëm dhe me pasojat e tërmetit në Shqipëri në fundnëntorin e 2019-ës, ku veç ndihmave të shumta për të pastrehët, financoi dhe ndërtimin e një pallati në Lezhë për dhjetra familje që humbën shtëpitë. /tesheshi.com/