Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të hënën se të gjitha opsionet janë në tryezë, nga masat ekonomike deri te ato ushtarake, në përgjigje të referendumit për pavarësi të zhvilluar nga kurdët në Irakun e veriut.
Erdogan tha në një fjalim në pallatin presidencial, se Turqia nuk do të ngurrojë të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion nëse bllokohet rruga drejt paqes.
Ai shtoi se shpreson që qeveria rajonale e Kurdistanit të rishqyrtojë edhe njëherë vendimin për referendumin.
Erdogan ka akuzuar kreun e kurdëve Masud Barzanin, se ka kryer një tradhti sepse ka marrë një vendim për mbajtjen e referendumit pa u konsultuar fare.
“Deri në momentin e fundit nuk kemi pritur që Barzani të bëjë një gabim të tillë, si mbajtja e një referendumi. Po na rezulton se paskemi qenë gabim”, tha presidenti turk.
Ai paralajmëroi se kurdët në Irak do të vdesin nga uria kur Turqia t’i bllokojë kamionët e tyre në kufi. /tesheshi.com/