Nga Blendi Gashi
Si ndodhi që fill pas një suksesi elektoral, ku pas Prishtinës si mandat të dytë arriti të marrë dhe Prizrenin, Vetëvendosje është gjendur sakaq në një krizë, provokuar nga një grup i brendshëm anti-Albin.
Është kjo pikëpyetja më e madhe që rri mbi këtë forcë. Por nuk është e vështirë të kuptohet se mu nga suksesi i arritur në Lokale, ardhur pas rezultateve befasuese dhe në ato të përgjithshmet ku si parti doli e para, një dorë e fshehtë po do ta shkërmoqë nga brenda.
Këtë do ketë nuhatur i sprovuari Albin Kurti që tashmë po bëhet gati të rikandidojë për ta rimarrë kreun e partisë, ideuar, themeluar dhe më pas faktorizuar, pikërisht prej tij.
Edhe pse në burg, ai ka arritur të sigurojë nënshkrimet e nevojshme për kandidim.
Në mbështetje të tij janë shumë vetëvendosës, pjesë strukturash, por bën habi heshtja e deritanishme e Visar Ymerit, kreut zyrtar të VV-së, pasuesit të Kurtit, prej gojës të së cilit nuk ka dalë asnjë frazë në lidhje me rikandidimin e “shokut të armëve”.
Asnjë fjalë dhe nga Aida Dërguti, zonja e sherrit, ajo që e ndezi fitilin e përçarjes, ndërkohë që kryeanti-Albini, Dardan Molliqaj, është shprehur se vetë ai nuk e synon kreun e VV-së.
Tashmë mbetet enigmë se kush do pretendojë ta sfidojë Kurtin.
Zgjedhjet për kryetar janë në shkurt. Dhe gjatë kësaj kohe pritet të konturohen qëllimet dhe personazhet. /tesheshi.com/