Nga Shkëlzen Rrecaj
Padyshim që është një prej futbollistëve më të mirë në kampionatin e Australisë. Ai së fundmi u shpall kampion edhe me skuadrën e Melbourne Victory, po ashtu edhe lojtari e golashënuesi më i mirë, i cili edhe mori çmimin madh TAG Golden Foot (Këpuca e Artë). Besarti po qëndron në Kosovë për pushime edhe pas shumë angazhimeve gjeti kohë t’i përgjigjet pyetjeve te portalit Te sheshi.
Cili është dallimi mes kategorisë në të cilën luani ju në Australi dhe Ligave Evropiane?
Ligën Australiane më së miri e kisha përshkruar si një kategori në mes të ligave të para dhe atyre të dyta evropiane, e kam fjalën për pesë fuqitë kryesore të futbollit në Evropë. Disa ekipe janë shumë të forta ngjashëm me ato të ligave të para në Evropë. Dallim tjetër është sezoni përgatitor më i gjatë se sa në Evropë. Në Australi kjo fazë zgjat tre muaj.
Ju jeni shpallur golashënuesi me i mirë dhe fitues i Këpucës së Artë. A keni oferta nga klubet australiane, evropiane e gjetiu?
Për momentin nuk ka gjë të re. Kam edhe një vit kontratë me skuadrën time Melbourne Victory. Kam pasur oferta brenda Australisë para shkuarjes time në skuadrën që jam tani. Sa i përket Evropës ende asgjë s’ka të re. Presim deri në vitin e ardhshëm.
Në një të ardhme a mendoni të ktheheni në Evropë?
Sigurisht që kam dëshirë që t’i afrohem Evropës, kudo qoftë ajo.
A keni marrë ftesë që të riktheheni në Kombëtaren Shqiptare?
Kam pasur kontakt me De Biazin dhe ia kam shpjeguar situatën time. Me zemër gjithmonë jam me kombëtaren. Mirëpo, fluturimet e shpeshta dhe të gjata nuk me lejojnë që ta jap maksimumin tim në lojë. Unë dëshiroj që kudo që jam duke luajtur të angazhohem 100%.
Nëse Kosova pranohet në FIFA dhe UEFA, a do të pranonit të luanit për përfaqësuesen tonë?
Së pari uroj që kjo të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që lojtarët tanë të kenë mundësi t’i tregojnë botës dhe e kanë shumë pasionin për sportin numër një në botë. Sigurisht që me shumë kënaqësi do të pranoja të luaja për Kosovën. Sidoqoftë, si Kosova ashtu dhe Shqipëria për mua janë një dhe se do të isha i lumtur t’i shoh që të shkojnë përpara.
A jeni përshtatur me mënyrën e lojës në ligën Australiane?
Po, fatmirësisht jam përshtatur shpejt dhe lehtë qysh në vitin e parë. Lojtarët australianë janë shumë profesionistë si në fushë ashtu dhe jashtë saj.
A keni tifozë shqiptarë në Australi?
Si kudo ashtu dhe në Australi ka shumë një interesim të madh për futbollin. Edhe atje ka shumë shqiptarë që janë tifozë të skuadrës sime dhe kësisoj edhe të mitë. Për mua si shqiptar është një ndjenjë shumë e mirë të kesh tifozë shqiptarë edhe pse je shumë larg vendlindjes.
Shpeshherë ju kemi parë që pasi të shënoni gol të bini në gjunjë. Çfarë nënkupton kjo?
Gjunjëzimi im në fushë i takon Allahut. Ai është falënderimi im për Të, që më mundësoi të jem i shëndetshëm dhe ta bëj punën që e dua dhe që e kam për zemër. Pa dëshirën e Tij asgjë s’do kishte kuptim dhe sukses.
Nga e gjeni motivimin për lojë?
Unë si i vogël e kam dashur futbollin dhe jam shumë i lumtur që e bëj punën që e dua dhe motivimi vjen nga dashuria për futboll. Po ashtu kam mbështetje të madhe nga familja ime.
Cilat janë gjërat më me prioritet në jetën tuaj jashtë futbollit?
Familja për mua është prioriteti im i parë. Jam shumë i bekuar nga Zoti që kam një familje të shëndetshme dhe që më përkrah në punën time. Pas saj vjen futbolli dhe gjërat e tjera.
/tesheshi.com/