Një gjykatë e Jerusalemit e deklaroi të hënën Ehud Olmert-in fajtor për korrupsion në një rigjykim të një çështjeje që përfshin një afarist amerikan, dëshmia e të cilit në vitin 2008 qe një goditje fatale për ish-kryeministrin.
Kjo është hera e tretë që nga viti 2012 që Olmert-i deklarohet fajtor për korrupsion.
Afaristi amerikan, Morris Talansky, tha në kohën e dëshmisë së tij se përgjatë 13 viteve i kishte dhënë Olmert-it rreth 150.000 dollarë, përgjithësisht të shtëna në zarf, një pretendim të cilin ky i fundit e pati hedhur poshtë me forcë. Talansky, i njohur si Moshe, pati thënë se pjesa më e madhe e parave ishte ndarë për fushatat elektorale, por një pjesë qe për shpenzimet personale të ish-kryeministrit.
Akuza u shpreh se paratë kishin nisur të kalonin te z. Olmert që në vitin 1992, kur ai kandidoi për postin e kryetarit të bashkisë së Jerusalemit, gjer në vitin 2005, kur ishte ministër i Industrisë dhe Tregtisë. Ehud Olmert-i u bë kryeministër në fillim të 2006-s, dhe hetimet policore qenë të vazhdueshme gjatë qëndrimit të tij trevjeçar në detyrë.
Dokumentet e gjykatës bënë të njohur më pas se Talansky i kishte kaluar Olmert-it një shumë prej 600.000 dollarësh, duke përfshirë një sasi të vogël të dhuruar nga të afërmit e afaristit amerikan.
Ish-kryeministri izraelit e la ndërtesën e gjykatës pa bërë asnjë deklaratë. Vendimi për të do të merret në maj, ndërsa dënimi maksimal për veprën për të cilën ai akuzohet është pesë vite burg. /tesheshi.com/