Romanca e kryeministrit kanadez Justin Trudeau dhe gruas së tij Sophie Grégoire filloi në një mënyrë mjaft hollivudiane. Ata u takuan në sheshin e lojërave kur ishin shumë të vegjël dhe vite më vonë u rilidhën dhe ranë në dashuri pas një takimi të rastësishëm.
Por 18 vite më pas, përralla duket se ka humbur magjinë e saj, me çiftin që tronditi botën duke njoftuar të mërkurën, më dy gusht, se po ndaheshin pas “shumë bisedash të vështira dhe kuptimplota” për të ardhmen e lidhjes së tyre.
Njoftimi tronditës, i cili shënoi fundin e gati dy dekadave të martesës, i dha fund një lidhjeje që filloi që në fëmijëri, pasi u takuan kur Sophie, tani 48 vjeç, ishte një kolege dhe shoqe e ngushtë e vëllait më të vogël të 51-vjeçarit Justin. Dyshja kaluan orë të tëra duke luajtur së bashku në fëmijërinë e tyre dhe madje ndanë një puthje të pafajshme për herë të parë ndërsa fshiheshin në një dollap në shtëpinë e familjes së tij.
Edhe pse ata ndaluan së komunikuari kur u rritën, pasi të dy vijuan në kolegje të ndryshme për të ndërtuar karrierat e tyre, ata u rikthyen në jetën e njëri-tjetrit kur u caktuan rastësisht të bashkëorganizonin një darkë gala në 2003.
U kuptua menjëherë se mes tyre kishte diçka, por politikani e refuzoi Sophie-n pasi ajo i dërgoi një mesazh dhe e injoroi plotësisht pas asaj ngjarjeje.
Justin më vonë shpjegoi se ai nuk ishte i interesuar për një lidhje në atë kohë, por kur të dy u përplasën aksidentalisht me njëri-tjetrin në rrugë muaj më vonë, u duk si fat.
Në takimin e tyre të parë, kryeministri i ardhshëm ishte aq i hutuar nga ndjenjat e tij për Sophie, saqë goditi kokën në një shtyllë. Atë natë, ndonëse kishin kaluar vetëm disa orë me njëri-tjetrin si të rritur, ai njoftoi se “do ta kalonin pjesën tjetër të jetës së bashku”, pas së cilës ata të dy “qanë”.
Justin i propozoi asaj një vit më vonë dhe momenti kur ai u ul në një gju para Sophie ishte gjithashtu si përrallë, me qirinj, petale trëndafili dhe xhaz që luahej në sfond. Dasma e tyre në vitin 2005 ishte e denjë për një princ dhe princeshë.
Por ndërsa Justin vazhdoi të ndërtonte karrierën e tij në politikë, kjo e rëndoi dashurinë e tyre. Sophie pranoi se fillimisht kishte vështirësi për t’u përshtatur me jetën në qendër të vëmendjes dhe kur ai u bë kryeministër në vitin 2014 dhe ata u detyruan të transferoheshin në një pronë zyrtare të qeverisë, ajo e kishte të vështirë ta bënte banesën e tyre të re të ndihej si në shtëpinë e tyre.
Pavarësisht gjithçkaje, ata qëndruan së bashku dhe u bënë prindër të tre fëmijëve. Por tani ata vendosën të ndjekin rrugët e tyre. Çifti kanë ndarë një deklaratë të përbashkët në Instagram për ndarjen, duke theksuar se “do të mbeten një familje e ngushtë me dashuri dhe respekt të thellë për njëri-tjetrin dhe për gjithçka që kanë ndërtuar së bashku”. /tesheshi.com/