Incidentet në veri të Mitrovicës vazhdojnë të shtohen. Mbrëmë rreth orës 20:00 në veri janë rrahur dy të rinj shqiptarë, L.T. (1999) dhe T.J. (1997), me ç’rast kanë pësuar lëndime nëpër pjesë të ndryshme të trupit.
Ata janë sulmuar nga katër persona, që dyshohet të jenë pjesëtarë të grupeve “KM-Firm 028” dhe “Mosto-Klinci”, derisa po shëtitnin në sheshin “Kral Petar” në veri të Mitrovicës.
Mësohet se viktimat kanë dhënë deklaratat e tyre rreth kësaj ngjarje në stacionin jugor të policisë, ndërsa policia është duke zhvilluar hetimet për kapjen e autorëve.
Ndryshe, ky është rasti i 19-të i incidenteve ndaj shqiptarëve në veri gjatë këtij viti, dhe nuk dihet nëse janë identifikuar autorët e ndonjërit prej këtyre incidenteve. /tesheshi.com/