Nga Bashkim Kastrati
Profesioni i mjekut konsiderohet ndër më fisnikët, më i përgjegjshmi dhe ndoshta më sakrifikuesi për të qenë në shërbim të pacientëve. Por në Kosovë ka ndodhur që mjekët të dalin jashtë etikës së tyre. Kujtojmë rastin e stendave, kur mjekët nga QKUK i rekomandonin pacientëve me probleme në zemër që të vendosnin stenda në spitalet private edhe pa pasur nevojë fare për to.
Këtë e kanë bërë për të përfituar përqindjen për secilin pacient që e kanë dërguar për operim në spitalet private.
Në vazhdimësi janë raportuar edhe skandale tjera të mjekëve, të cilët ndikojnë shumë negativisht në imazhin institucioneve shëndetësore publike dhe mjekëve të mirë kosovarë e që padyshim ka shumë të tillë që i janë përkushtuar me besnikëri profesionit të tyre.
Së fundi auditi ka publikuar një raport ku ka gjetur edhe dhjetëra specializantë që kanë bërë dallavere duke punuar jashtë marrëveshjes që kanë pasur me Ministrinë e Shëndetësisë (MSh) dhe në këtë mënyrë kanë dëmtuar buxhetin e kësaj të fundit.
Duke u bazuar në Udhëzimin administrativ nr. 09/2013, MSh ka subvencionuar specializantët të cilët ishin në shkollim specialistik me vetëfinancim. Përveç kontratave për specializim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) me 40 orë punë në javë si angazhim primarë,
MSh përmes aneks kontratave u ka mundësuar specializantëve angazhimin prej tetë orë punë në javë si angazhim sekondarë në nivelin primarë të shëndetësisë. Me kërkesë të ministrisë specializantët kanë nënshkruar deklaratat përmes të cilave pranojnë se nuk do të kenë angazhime tjera.
“Ne kemi gjetur se 55 specializantë gjatë vitit 2016 kanë punuar edhe në institucione tjera shëndetësore (10 prej tyre në sektorin publik). Si rezultat, buxheti i ministrisë për vitin 2016 ishte dëmtuar në vlerë prej 281 mijë e 652 euro. Përveç kësaj, ne kemi evidentuar se ministria (me vendim të Ministrit) ju kishte kompensuar edhe nga dy kujdestari të cilat sipas kërkesave të udhëzimit për shkollimin specialistik 10/2014, specializantët janë të obliguar t’i mbajnë. Vlera e kujdestarive të kompenzuara për ketë kategori të specializantëve, për vitin 2016 ishte 86 mijë e 630 euro”, thuhet në raportin e auditit.
Auditi tërheq vërejtjen se mungesa e mekanizmave për monitorimin dhe verifikimin e të ardhurave të specializantëve të cilët subvencionohen nga MSh-ja rrezikon të bëhen pagesa në kundërshtim me kërkesat ligjore dhe si pasojë me dëmtim të buxhetit të ministrisë.
Duke e marrë parasysh këtë të gjetur, auditi i rekomandon se Ministri i Shëndetësisë duhet të sigurojë që të ndërpritet mbështetja financiare e specializanteve të cilët janë identifikuar se punojnë edhe në institucione tjera dhe të shqyrtohen mundësitë ligjore për të kërkuar kthimin e mjeteve të përfituara në kundërshtim me kontratat. Po ashtu, auditi rekomandon që në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Trustin e kursimeve pensionale të merren masat e nevojshme për të verifikuar në baza mujore nëse specializantët që subvencionohen nga MSh realizojnë të ardhura edhe nga institucione tjera.
Ja si mjekët specializantë e mashtruan Ministrinë e Shëndetësisë
E gjetura tjetër e auditit në lidhje me specializantët thotë se MSh ka filluar subvencionimin e specialisteve të pa punësuar në sektorin publik shëndetësorë dhe specializantëve të cilët ishin në shkollim specialistik me vetëfinancim në institucionet publike dhe ato private shëndetësore.
Specialistët ishin angazhuar përmes kontratave për kohë të caktuar, ndërsa specializantët ishin angazhuar përmes aneks kontratave bazuar në Udhëzimin Administrativ 09-2013 – për skemën stimulative të profesionistëve shëndetësor.
“Me kërkesë të ministrisë specializantët kanë nënshkruar deklaratat përmes të cilave pranojnë se nuk do të kenë angazhime tjera. Mirëpo ministria nuk kishte arritur qe të verifikonte nëse specializantet përfitonin të ardhura edhe nga ndonjë institucion tjetër. Ne kemi identifikuar (përmes krahasimit të listës së pagave për muajin dhjetor me sistemin e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Payrollit) se 51 specializantë gjatë tremujorit 2016 kanë punuar edhe në institucione tjera private/publike (26 prej tyre janë në sektorin publik)”, thuhet në raportin e auditit.
Auditi konsideron se si rezultat, nga përfitimi i specialistëve dhe specializantëve në kundërshtim me marrëveshjet e nënshkruara, buxheti i ministrisë ishte dëmtuar në vlerë prej rreth 70 mijë euro.
“Po ashtu, punësimi i specialistëve në sektorin publik shëndetësorë ishte shoqëruar me parregullsi. Qëllimi ishte që specialistët të punësohen në sistemin publik shëndetësor, dhe prioritet ishte punësimi i specialistëve që nuk ishin fare të punësuar. Ne kemi evidentuar se 34 specialistë të cilët janë angazhuar nga MSh, kishin punuar gjatë vitit 2016 në institucionet publike, 15 prej tyre kishin vazhduar të punojnë në institucione publike edhe pas angazhimit në MSh – në institucionet publike kanë realizuar pagë primare derisa në MSh kanë pasur kontrata për kohë të caktuar. Derisa dy të tjerë ishin duke punuar në sektorin publik shëndetësor”, thuhet në raportin e auditit.
Auditi tërheq vërejtjen se mungesa e mekanizmave për monitorimin dhe verifikimin e te ardhurave të specializantëve/specialisteve të cilët subvencionohen nga MSh rrezikon të bëhen pagesa në kundërshtim me kërkesat ligjore dhe si pasojë me dëmtim të buxhetit të ministrisë. Angazhimi i specialistëve në kundërshtim me prioritetet e përcaktuara, rrit rrezikun që specialist të caktuar të përfitojnë nga dy puna derisa të tjerë të mbesin pa u angazhuar fare.
Sa i përket punësimit të specialistëve, auditi rekomandon se duhet të sigurohet që përparësi t’u jepet specialistëve të cilët nuk janë fare të punesuar, derisa specialistët që punojnë edhe në institucione tjera publike duhet të përcaktojnë pagat primare dhe sekondare në pajtim me kërkesat ligjore. Po ashtu, për specialistët të cilët janë identifikuar se punojnë në shërbimet primare shëndetësore, duhet të konsiderohet ndërprerja e marrëveshjeve. /tesheshi.com/