Besnikëria midis të afërmëve ka fuqinë të helmojë si reputacionin ashtu edhe kombin, shkruan prestigjiozja “The Economist” në një analizë të ngjarjeve më të fundit me familjen presidenciale të Amerikës.
“Parimi i trashëgimisë nuk është vetëm amerikan por dëmton fëmijët e burrave të mëdhenj”, deklaroi Benjamin Franklin pas luftës revolucionare, ndërsa shtoheshin fjalët për komplotin e vendosjes së një aristokracie të re me në krye Xhorxh Uashingtonin. “Të nderosh prindërit është e arsyeshme”, vinte në dukje Franklin. “Por, t’i shpërblesh pasardhësit për shkak të rastësisë në lindje, nuk është vetëm e pabazuar dhe absurde, por shpesh dëmton brezat e ardhshëm”.
Shumë gjëra që kanë të bëjnë me Donald Trump do të habisnin Etërit Themelues të Amerikës. Çështjet ku kanë hyrë fëmijët dhe dhëndërri i tij me siguri do t’i alarmonin me të drejtë. Madje Franklin, njeri parashikues, mund ta kishte të vështirë të imagjinonte fëmijën e një presidenti amerikan që shpreh vullnetin për të marrë “informacion të nivelit të lartë e tepër sensitiv” për një kundërshtar politik nga një fuqi e huaj armiqësore – siç ka bërë djali i madh i Trump, Donald i Riu gjatë zgjedhjeve të vitit 2016. Por, shumë kohë përpara se kjo të bëhej e njohur, përdorimi nga presidenti i të afërmëve të tij si këshilltarë të Shtëpisë së Bardhë dhe si menaxherë të perandorisë së tij të pronave të paluajtshme – duke zëvendësuar këshillimin me besimin e verbër – përbënte një kërcënim të madh ndaj sistemit “kontroll e balancë” të hartuar nga Etërit Themelues.
Mbrojtësit e nepotizmit – pasi ata ekzistojnë – argumentojnë se të afërmit e rrethit të ngushtë janë në gjendje t’i ofrojnë presidentëve këshilla më të sinqerta sesa çdo person tjetër nga jashtë. Ata vënë në dukje me anë të disa llogarive se 16 fëmijë presidencialë kanë punuar në Shtëpinë e Bardhë, duke variuar nga sekretarë privatë (një traditë e nisur nga presidenti i 6-të, John Quincy Adams, edhe vetë djalë presidenti) deri si portierë pa pagesë (Anna Roosevelt, vajza e Franklin), apo edhe si këshilltarë formalë (djali i Dwight Eisenhower, Xhoni shërbeu si ndihmës për sigurinë kombëtare).
Por, një mbrojtje e tillë e nepotizmit bie poshtë kur Amerika ka një president të keq. Kur këshilltarë të zakonshëm e gjejnë veten në këtë situatë të palumtur, ndjesia e detyrës ndaj vendit, ndaj postit apo ndaj sundimit të ligjit mund t’i nxisë ata të vënë në pikëpyetje veprimet e nxituara apo të pamenduara ose të japin dorëheqjen. Ndihmës të tjerë mund të drejtohen më fort nga interesat personale, nga dëshira për të mbajtur emrin e tyre të mirë nga njollosja prej një shefi të papërshtatshëm. Por, kur një fëmijë ushtron pushtet me miratimin e prindit, besnikëria ndaj vendit apo ligjit duhet të konkurrojë me besnikëri më të thella. Kjo tërheqje nga besnikëria është shumë më e dhimbshme kur ke një prind si Trump, klanor, hakmarrës që sipas rrëfimeve të vetë të birit, do ta dërgonte në shkollë me këshillën: “Mos i beso kurrkujt”. Sa për përpjekjen për të ruajtur emrin e mirë, kjo është tepër e vështirë kur quhesh Donald Trump i Riu.
“Kontroll dhe balanca” po ashtu ndërpriten si sistem kur një fëmijë-këshilltar presidenti gjendet në faj. Trump edhe mund të jetë penduar për faktin që iu desh të shkarkonte këshilltarin e parë të sigurisë, Michael Flynn, për flirtim në kontaktet me rusët. Por sistemet e kontrollit dhe vënies para përgjegjësisë që zunë Flinin, duke nisur me shtypin e lirë, i bënë Trumpit një favor. Zyrtarë të lartë të administratës Trump dhe republikanët e Kongresit konstatuan se me Flin, një ish-gjeneral zemërak dhe konspiracionist, e kishin pothuajse të pamundur të punonin.
Në kontrast, çdo shenjë mungese respekti për fëmijën Trump provokon indinjatë tek presidenti, kështu që pak republikanë në Kongres kanë vullnetin të ushtrojnë mbikqyrje të fortë ndaj vajzës së tij, Ivanka dhe bashkëshortit të saj, Jared Kushner, të cilët shërbejnë të dy si këshilltarë të lartë, ndërsa Kushner ushtron ndikim për shkak të interesave të veta ndaj paqes në Lindjen e Mesme. Në shkurt, Trump sulmoi “Nordstrom”, një linjë zinxhir veshjesh pasi kishte refuzuar linjën që mbante emrin e Ivankës, duke u ankuar në llogaritë e veta personale dhe qeveritare të rrjeteve sociale se ajo ishte “trajtuar kaq padrejtësisht”. Presidenti doli sërish në Twiter për të mbrojtur rolin e vajzës së tij, i zemëruar nga reagimet në shtypin botëror pasi ai i kërkoi të zinte vendin e tij në samitin e G20.
Sekretarja e Shtypit e Trump u ndje e detyruar të denonconte vënien në dyshim të vajzës së presidentit si “një sulm indinjues ndaj këshilltares së lartë të Shtëpisë së Bardhë”.
Kongresi ka qenë i brishtë në kundërshtimin e konflikteve potenciale të interesit ku përfshihen organizata Trump, e drejtuar nga Donald i Riu dhe vëllai i tij, Erik, si vende takimesh qeveritare apo pritjet e dhëna në pronat Trump, përfshirë edhe një hotel pak minuta nga Shtëpia e Bardhë.
Në përpjekje për të krijuar marrëdhënie me një nacionalist, presidentin e parë të Amerikës që nuk zotëron vëmendje e durim, qeveritë e huaja po mësojnë të përdorin familjen e tij për ta qetësuar. Angela Merkel e Gjermanisë ftoi Ivanka Trump në një samit për fuqizimin e grave. Delegacionet arabe në Uashington entuziazmohen se negociimi me Kushner është i rehatshëm, pasi të bisedosh me të afërmit e sundimtarëve është një mënyrë arabe. Ndërsa sa i takon Azisë, “për shkak se Kina nuk është fare e interesuar për shëndetin demokratik të Shteteve të Bashkuara, liderët dhe manjatët e saj janë të lumtur të lavdërojnë Trump apo të bëjnë marrëveshje biznesi me familjen e tij, duke i dhënë Kinës avantazh ndaj fuqive më skrupuloze të Perëndimit. Kështu psherëtin një diplomat që e ndjek nga afër këtë proces.
Ati, Biri dhe mbrojtja e ngrënë e Rusisë
Në biseda private, të dërguarit në Uashington i krahasojnë fëmijët e Trump me princa dhe princesha në një oborr mbretëror. Kjo është pak e padrejtë ndaj princëve: shembuj të tillë modernë si William dhe Harry në Britani flasin për ndjenjë detyre, përulje dhe largim nga politika për arsyen e prerë se ata nuk janë të zgjedhur nga populli. Fëmijët Trump janë shumë më tepër të vetëkënaqur, duke ngritur lart babain e tyre si jo egoist që hoqi dorë nga një jetë që ishte “epitoma e ëndrrës amerikane”, për të shërbyer si president.
Donald i Riu u mburr përpara Konventës Kombëtare Republikane për vizitat e rinisë në fushat e ndërtimit kështu që: “Ne jemi fëmijët e vetëm të miliarderëve” po aq të lumtur në një buldozer sa edhe në një makinë.
Shumë konservatorë duartrokasin këtë deklamim. Tetorin e kaluar, Donald i Riu u tha vullnetarëve të fushatës republikane në Reno se familja e tij ishte bërë keq nga sulmet e neveritshme të medias, duke bërë që njëri prej tyre ta ngushëllonte: “Më lejo të falenderoj familjen tënde që po kalon përmes këtij ferri”
Etërit Themelues u zmbrapsën nga parimi i trashëgimisë. Ata druheshin për një politikë fraksionesh tribale. Klani Trump po dëshmon se ata kishin të drejtë për gjithçka.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/