Egjipti kaloi pragun simbolik të 100 milion njerëzve të martën, me rritjen demografike që përbën një sfidë të madhe për një vend, popullsia e të cilit, shpesh e re dhe e varfër, është përqendruar në një pjesë të vogël të territorit të varur nga Nili.
Një tabelë elektronike në ndërtesën që strehon Agjencinë e Statistikave egjiptiane (CAPMAS) në Kajro, një qytet me 20 milion banorë, lëvizi nga tetë në nëntë shifra të martën. Vendi më i populluar arab, Egjipti, renditet i treti në kontinent, pas Etiopisë dhe Nigerisë, dhe i 14-ti në botë.
Shkalla e lindjeve në këtë vend ka shpërthyer në 30 vitet e fundit me një mesatare prej 1.5 milion lindje në vit. 30 vjet më parë, në 1990, kishte “vetëm” 57 milion egjiptianë, pothuajse aq sa popullsia franceze në atë kohë.
Në Egjipt, një fëmijë lind mesatarisht çdo 17.9 sekonda, sipas një deklarate të CAPMAS. Ndërsa autoritetet po përpiqen të veprojnë, fushatat e sensibilizimit publik si “Dy fëmijë janë të mjaftueshëm” vitet e fundit nuk kanë dhënë rezultate.
Pas zhvlerësimit të monedhës kombëtare, grumbullohen vështirësitë ekonomike. Inflacioni ka ulur në mënyrë drastike fuqinë blerëse. Sipas të dhënave të fundit të CAPMAS, pothuajse çdo një në tre egjiptianë jeton nën kufirin e varfërisë. Për më tepër, si në shumicën e vendeve arabe, Egjipti ka një popullsi veçanërisht të re, me më shumë se 60 përqind të qytetarëve nën 30 vjeç.
Sipas Kombeve të Bashkuara, me këtë trend Egjipti do të ketë një popullsi prej 120 milion në 2030-ën. /tesheshi.com/