Opinioni dhe politika kosovare është ndjerë ligsht këtë të dielë kur dy ish-komandantë të UÇK-së, Sami Lushtaku e Rrustem Berisha morën rrugën drejt Hagës të thirrur nga Specialja, gjykata e themeluar kohë më parë, e cila ka si objekt gjykimi krime të supozuara nga ushtria shqiptare përgjatë fushatës serbe të genocidit e spastrimit etnik në dimër-pranverën e ’99-ës. Ndër reagimet e shumta ka qenë dhe ai i pinjollit të Jasharajve, Bekim Jasharit, pasardhësi i Lushtakut në krye të Komunës së Skënderajt.
“Sa herë që është folur dhe shkruar, është dëshmuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – e shenjtë për popullin shqiptar, ka qenë e drejtë. Edhe gjykimet madje kanë nxjerr pastërtinë e luftës së drejtë të popullit shqiptar. Në çfarëdo aspekti që gjykohet lufta e shenjtë për lirinë e popullit tonë të vuajtur me shekuj, nga pushtuesi më barbarë që ka njohur historia e njerëzimit, secili luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa asnjë mëdyshje, do ta ketë mbështetjen time dhe të mbarë popullit shqiptar. Ushtria Çlirimtare e Kosovës krenaria jonë!”, shkruan Jashari.
Nuk dihet nëse Lushtaku e Rrustemi do përfshihen nga ndonjë akuzë. Ata thjesht janë thirrur për t’u pyetur. Por fakti se janë dy të parët që paraqiten te Specialja e shumëkundërshtuar, por dhe e votuar njëherësh nga Kuvendi i Kosovës, i ka dhënë një ndjeshmëri të madhe çështjes. /tesheshi.com/