Fjalimi në Asamble i Ramës, pas së cilës shpalli dhe qeverinë e re, ishte dhe njëherë afirmim i një ligjërimi politik të pakrahasueshëm deri më sot në historinë politike shqiptare, një shkollë politike më vete.
E kombinuar mes vetëkamzhikimit, me cene të thëna troç të partisë së tij në qeverisje, duke treguar se e ka të qartë se çdo ndodh në bazë, atje mes zyrtarëve socialistë dhe njerëzve, si dhe sforcos për të imponuar moral të ri te ta, ai njëherësh shpërfaqi dhe atë që nuk ka mundur ta realizojë dot deri më sot: të paturit alteregove të vetes së tij mes dhjetra e qindra vartësish me detyra ekzekutive dhe vendimarrëse, sidomos në bazë, etje ku ulëret me shumë paaftësia qeverisëse.
Për ta thjeshtuar, dëgjoni Ramën dhe më pas sillni ndërmend pjesën më të madhe të vendimmarrësve në bazë dhe sforcohuni të gjeni ndokënd që shkon për shtat me ato thotë e kërkon Rama. Vite larg! Ka, me gishta, por jo shumica dhe pa rol përcaktues.
“5500 dyert e organizatave tona do bëhen të hapura mundësisht për qindra mijëra njerëz për të kultivuar qytetarinë demokratike. Për të debatuar tema me interes publik për të ndarë mendime dhe shqetësime në të mirë të komunitetit përkatës dhe jo për të marrë dhe për të dhënë punë shteti për vete dhe krushqinë”, tha Rama. “Po kujt ia thotë”, thuhet një të tilla raste.
Sepse, ku janë ato sinjale apo shenja te deritanishme se kjo vërtet mund të ndodhë?
Kërkoi Rama nga vendimmarrës socialistë, në të gjitha nivelet, që të ndihen se kanë për të larë një borxh ndaj njerëzve, sapo të dalin nga shtëpia, ndërkohë që ndodh e kundërta dhe ai e di këtë kur thotë se “partia merret peng nga rrethet e të privilegjuarve dhe agallëku provincial në komunitet dhe figura të konsumuara për t’u dhënë të tjerëve një mesazh jo me fjalë por me figurën e tyre”.
Ky pra është problemi më i madh i kësaj qeverisjeje dhe Rama e di fort mirë këtë dhe i dhemb tej mase kjo; pra fakti që ai, fryma që ai kërkon të përhapë vertikalisht, është gati e pamundur.
Gjithë ajo aradhë zyrtarësh që ne, lokalisht kemi të përditshmëri, janë të partisë së Ramës por pa lidhje me Ramën. Jo në ligjërim, pasi e atë e kanë të pamundur, por as në vetëdije politike, vizion apo ndjeshmëri njerëzore.
Njerëz që erdhën e do ikin pa lënë gjurmë në komunitet, pa lënë emër, pa bërë një histori krenarie vetjake! /tesheshi.com/