Autoritetet e reja të Sirisë dogjën sasi të mëdha lënde narkotike, duke përfshirë një milion pilula kaptagoni, një amfetaminë e prodhuar në shkallë industriale nën sundimin e Bashar al-Assadit, thanë dy forcat e sigurisë për AFP-në.
“Ne gjetëm një sasi të madhe kaptagoni, rreth një milion pilula,” i tha AFP-së një anëtar i atyre forcave, i cili u identifikua si Osama, me fytyrën të mbuluar dhe të veshur me uniformën e “Administratës së Sigurisë Publike”.
Administrata e Bashar al-Assadit ishte e njohur për prodhimin e kaptagonit, një amfetamine që rrjedh nga një ilaç që supozohej të trajtonte narkolepsinë ose çrregullimin e mungesës së vëmendjes, duke e kthyer vendin në një narko-shtet dhe duke përmbytur tregjet e Lindjes së Mesme, Irakun fqinj ose vendet e Gjirit.
Ditët e fundit, në hangaret e avionëve apo bazat ushtarake janë zbuluar qindra çanta të vogla që përmbajnë pilula kaptagoni.
Së fundi ka ndodhur asgjësimi i drogës në ish “sektorin e sigurisë” të Damaskut, në lagjen Kafar Sousse.
“Forcat e sigurisë të qeverisë së re siriane zbuluan një depo droge gjatë inspektimeve” të sektorit të sigurisë, tha për AFP-së një tjetër anëtar i atyre forcave, i cili u identifikua si Hamza.
Shkatërrimi i rezervave – “alkool, kanabis, pilula kaptagoni dhe pako me hashash” u bë për të “mbrojtur shoqërinë siriane” dhe “prerë rrugët e kontrabandës të përdorura nga bizneset e familjes Assad”, tha ai, duke iu referuar tregtisë së drogës në shkallë industriale të regjimit të mëparshëm.
“Kjo nuk është iniciativa e parë e këtij lloji, forcat e sigurisë kanë gjetur gjithashtu depo të tjera (…) dhe vende të prodhimit të drogës dhe i kanë shkatërruar ato,” vuri në dukje ai.
Një hetim i AFP-së zbuloi se kaptagoni e kishte kthyer Sirinë në një narko-shtet me një industri të paligjshme prej më shumë se 10 miliardë dollarë. /tesheshi.com/