Nga Blendi Gashi
Dorëheqja e fundit e kryetarit të gjykatësve të EULEX-it, Malkom Simons, i cili e akuzon këtë mision për korrupsion dhe politizim, konkretisht eleminim të figurave të ndryshme ku përmendi rastin e Fatmir Limajt, ka ngritur jo pak shqetësime për drejtësinë që bëhet në Kosovë.
Ky sistem i mbetur në fund të pusit nga paslufta, pasi nuk arriti të këndellet asnjëherë, sigurisht për fajin e politikës e cila futi duart dhe kontrolloi çdo gjë duke mos lejuar të kapen “peshqit e mëdhenj”, nuk pa dritë as me ndërkombëtarët duke humbur çdo shpresë për drejtësi.
Ky mision ndërkombëtar që së fundmi u kritikua edhe nga PDK-ja e Kadri Veselit, parti kjo që ka mbështetur pa rezervë vazhdimin e mandatit, po akuzohet për drejtësi selektive, ku tashmë edhe zyrtarisht është bërë thirrje që të rishqyrtohet të gjitha gjykimet që ka marrë.
Është Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut i Kosovës (KMDLNJ) që ka kërkuar që të rishqyrtohen të gjitha rastet që janë gjykuar nga EULEX-i, pasi vlerëson se “ky mision po del të jetë krejtësisht i dështuar dhe i cili ligjin po e keqpërdor jo për të vendosur dhe ndarë drejtësi, por për të diferencuar dhe eliminuar figura të rëndësishme politike, kryesisht të krahut të luftës”.
“Është një mundësi e mirë dhe e bazuar që të kërkohet rishqyrtimi i të gjitha rasteve të gjykimeve ku dyshohet se janë marrë nën ndikime dhe urdhra politike sikur edhe se janë korruptuar”, thotë KMDLNJ.
Sipas këtij Këshilli, ndërkombëtarët e EULEX-it nuk do të ishin në gjendje të bënin këtë krim kundër drejtësisë pa ndihmën e vendorëve.
“Duhet të hetohet sekserizmi i disa avokatëve dhe të tjerëve që ndërmjetësojnë në shitjen e pafajësisë nga EULEX, dhe eliminimin e fajësisë për eksponentë të krimit të nivelit të lartë”, thotë Këshilli.
Por a mund të ndodhë rigjykimi i të gjitha rasteve që ka trajtuar EULEX?
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), organizatë kjo që përcjellë punën e gjykatave dhe prokurorive, thotë se dyshimet e gjykatësit Simons cenojnë rëndë besimin e publikut lidhur me pavaresinë dhe paanshmërinë e këtij misioni gjatë trajtimit dhe marrjes se vendimeve gjyqësore në Kosovë.
“Publiku në Kosovë nuk ka informacionin e duhur lidhur me atë se gjykatësi Simons apo gjykatës tjerë në këtë mision janë subjekt i procedurave penale apo disiplinore, që ka dallim jashtezakonisht të madh.
Vendimet e marra nga gjykatësit e EULEX-it sipas legjislacionit në Kosovë mund të ri-shikohen vetëm në rast se me vendim të gjykatës vërtetohet se këta gjykatës kanë vepruar në kundërshtim me ligjin gjatë gjykimit të rasteve të caktuara”, thotë Miftaraj për tesheshi.com.
Hasan Preteni, ish-kryetar i Agjencisë Anti-korrupsion, thotë se gjyqësori dhe prokuroria e Kosovës që nga paslufta nuk e ka realizuar mandatin e tyre, ndërsa nuk e di saktë se ç’duhet të bëhet me lëndët që ka trajtuar EULEX-i, pasi tpohon se nuk e di mbi ç’marrëveshje është ardhur të funksionojë.
Ai thotë se pritjet kanë qenë më të mëdha nga EULEX-i, por sipas tij pritoritet e këtij misioni nuk janë përputhur me pritjet e kosovarëve.
“Nuk duhet menduar se EULEX-i do t’i zgjidh të gjitha problemet e as gjyqësori ndërkombetar, pasi ata janë për të ndihmuar, për të dhënë ndonjë ekspertizë, por jo për të kryer detyrat e institucineve tona.
Gjyqësori duhet të zgjohet nga gjumi, sepse jemi dëshmitar se prokuroritë nuk kanë ngrit aktkuza të fuqishme nga paslufta. Duhet një zgjuarje nga kjo agoni”, thotë Preteni për tesheshi.com. /tesheshi.com/