Nga Luljeta Progni
Nano-Rama-Meta, historia e konfliktit të egër për pushtet mes tre liderëve në 25 vjet.
Kur u rithemelua PPSH duke u kthyer në PS, kryetar i saj u zgjodh Fatos Nano ndërsa Edi Rama propozoi nxjerrjen jashtë ligji të kësaj partie.
Ndërkohë Ilir Meta si student i Dhjetorit, po projektonte karrierën e tij të rëndësishme drejt majave të pushtetit të së majtës.
Fatos Nano, Ilir Meta e Edi Rama janë tre njerëzit që e kanë drejtuar të majtën pas vitit 1990. Është një prej dy partive kryesore në vend. Janë 25 vite histori konfliktesh e marrëveshjes shpesh të dyshimta, mes tre drejtuesve të cilët janë shfaqur herëpashere me akuza ekstreme ndaj njëri-tjetrit. Në këtë çerek shekulli, PS ka qeverisur për 12 vite Shqipërinë dhe sot është në pushtet. Kryetar është Edi Rama, ndërsa Ilir Meta është kryetar i një tjetër partie të majtë LSI, e cila doli nga Partia Socialiste, si pasojë e konflikteve për pushtet mes tij dhe ish-kryetarit Fatos Nano.
Këtë verë, tre liderët e së majtës ushqyen mediat me disa sinjale për rikonfigurim të marrëdhënieve mes tyre. Analistë që pretendojnë se janë afër tyre, shkruan për mundësiëne bashkëpunimit mes Ramës e Nanos për të mundur Ilir Metën. Por deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar në se kjo është e vërtetë.
Por e vërtetë është se konflikte të forta ka pasur gjatë gjithë historisë së tyre në krye të së majtës. Të shumta kanë qënë përplasjet midis Fatos Nanos e Ilir Metës gjatë 15 viteve të para të historisë së PS-së konlfikte që përfunduan me ndarjen e kësaj partie dhe themelimin e LSI-së së drejtuar nga Ilir Meta. Më pas, Rama e Meta të cilët shpesh ishin bërë bashkë për të mundur Nanon, u bashkuan dhe u ndanë disa herë gjatë tetë viteve të qeverisjes së PD-së. Pati gjithashtu përplasje dhe akuza shumë të forta mes tyre. Ramës e Meta io lanë pas konfliktet mes tyre dhe më 1 prill 2013 nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit në qeverisje që vazhdon edhe sot. Ndërsa Fatos Nano është jashtë politikës në përpjekje për t`u rifaktorizuar.
Tre drejtuesit e së majtës kanë një histori mjaft komplekse të aktivizimit të tyre në politikë. Origjina e këtij aktivizimi është thelbësore për të analizuar më pas edhe ecurinë e karrierës së tyre politike gjatë tranzicionit.
Fatos Nano ishte kryetari i parë kur PPSH mori emrin Partia Socialiste e Shqipërisë, më 12 qershor 1991 e deri në shtator 2005, kur Nano dha dorëheqjen pas humbjes së PS-së në zgjedhjet e 3 korrikut të këtij viti.
Kur Fatos Nano u zgjodh në krye të Partisë Socialiste, Ilir Meta ishte student i Dhjetorit, por i angazhuar në FRESSH, ndërsa Edi Rama ishte një ndër kritikët më radikalë kundër PPSH së kthyer brenda një natë në PS.
Përmes një serie dossierësh do të përpiqemi të sjellim në vëmendjen e lexuesit historinë e secilit, në momente kyçe, qysh në nisje e deri tani. Dhjetori ’90 është mjaft i rëndësishëm për të kuptuar se cila ishte pikënisja e tri karrierave më të spikatura politike në të majtën shqiptare në Shqipërinë postkomunite, Fatos Nano, Ilir Meta e Edi Rama.
Ku ishin ata në dhjetor të vitit 1990, cili ishte roli i tyre në politikë dhe çfarë rruge ndoqën ata për të hyrë në historinë e zhvillimeve politike të kësaj kohe.
Fatos Nano, ekonomisti liberal i nomenklaturës komuniste dhe rruga drejt postit të kryeministrit të qeverisë së parë pluraliste
Dhjetori i vitit 1990, koha kur në Shqipëri u rrëzua sistemi komunist, Fatos Nano ishte sekretar i përgjithshëm në qeverinë e drejtuar nga kryeministri i fundit komunist, Adil Çarçani. Më herët Fatos Nano kishte qënë nëpunës i Institutit të Studimeve të Marksizëm-Leninizmit, e drejtuar nga Nexhmije Hoxha , e veja e diktatorit Enver Hoxha. Megjithatë, Fatos Nano kishte shfaqur ide liberale si një ndër ekonomistët më në zë të kohës, brenda atij sistemi të mbyllur ku ishte shumë e vështirë të shfaqeshe si i tillë. Në se ishte guximi i tij apo këto qëndrime lidheshin me mbështetjen që i kishte dhënë vetë Ramiz Alia, do të duhet ende kohë për t`u vërtetuar. Në atë kohë udhëheqësi komunist Alia, po përpiqej të stimulonte disa intelektualë të moderonin PPSH-në e cila mbante ende brenda saj Byronë Politike të plakur e injorante. Ndoshta Alia nuk ishte kaq i interesuar për demokraci por se kjo ishte rruga që ai kishte zgjedhur për t`i shpëtuar skenarit rumun, ku lideri komunist u vra dhunshëm nga populli i tij.
Pas shumë zhvillimesh intensive të dhjetorit 1990 kur u shpall pluralizmi politik, Fatos Nano u zgjodh kryetar i ri i PPSH-së, në kongresin e fundit të kësaj partie, më 12 qershor 1991, dita kur kjo parti u pagëzua me emrin e ri, Partia Socialiste e Shqipërisë.
Ky kongres u zhvillua në tre ditë, por një prej seancave të tij më të gjata, ishte seanca e mbyllur e kongresit ku u përjashtua Byroja Politike përmes britmave e thirrjeve, atje ku në të vërtetë komunistët e rinj po zhvillonin betejën e tyre përballë “baballarëve” për t’ua grabitur pushtetin. Komunistët e rinj kishin me vete edhe liderin e fundit komunist, Ramiz Alinë.
Për të kuptuar se çfarë ndodhi në atë seancë të Kongresit të fundit punist, vlen të veçojmë një pjesë nga fjalimi i Dritëro Agollit. Shkrimtari Dritëro Agolli, i cili kishte qënë deputet i PPSH-së, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, i njohur si një ndër intelektualët e përkëdhelur të sistemit, “guxoi” të kritikonte fort figurën e diktatorit Enver Hoxha. Fjalimi i Agollit u mbajt përmes thirrjeve histerike të komunistëve të Byrosë Politike e KQ të PPSH-së, “Parti Enver, jemi gati kurdoherë”. Atë fjalim ai e kishte parapërgatitur por i shtoi aty për aty edhe një pargraf ku thekson:
“Ju ma vërtetuat mendimin tim të fshehur në vetvete, se Partia e Punës nuk rinovohet. Bërtitjet tuaja jashtë çdo civilizimi dhe jashtë çdo kohe të qytetëruar, janë pasqyrë e një partie që është shtrirë në shtrat dhe po jep shpirt. Kur dikush jep shpirt, të tjerët bërtasin. Ju bërtisni, pasi ajo që iu polli ju, po jep shpirt në shtratin e vdekjes. Unë, kot mora mundimin ta shpëtoja. Shpëtojeni vetë po mundët! Unë do të largohem, pasi nuk e duroj dot erën e këtij të vdekuri dhe aq më tepër bërtitjet tuaja pranë të vdekurit”.
Me gjithë reagimet e ashpra të shumicës, Dritëro Agolli u mbështet nga disa figura të tjera të rëndësishme të njohur si intelektuale pranë nomenklaturës komuniste. Moikom Zeqo, Servet Pëllumbi etj., dolën në podium për të mbështetur Agollin. Ata kritikuan të shkuarën komuniste të PPSH-së, si dhe udhëheqësin e saj. Fjala e Agollit dhe e mbështetësve të tij në atë kongres provokoi përplasje ndërmjet atyre që u quajtën reformatorë nga njëra anë dhe Byrosë Politike e mbështetësve të saj në kongres nga ana tjetër. Të mbledhur në holl, disa nga byroistët dhe disa delegatë, ata më fanatikët ithtarë të Enver Hoxhës, u kundërpërgjigjën duke ngritur grushtin lart dhe duke thirrur parrullën tradicionale komuniste “Parti Enver, jemi gati kurdoherë” . Kjo parullë vinte si një kërcënim për atë pjesë “të re” të PPSH-së e cila ishte përgatitur të merrte në dorë drejtimin e partisë, por konservatorët, nuk dukeshin dhe aq të përgatitur për ta lënë timonin. Togfjalëshi që qarkullonte shpesh mes tyre ishte: “ne na zgjodhi Enveri dhe s’mund të na shkarkojë Ramizi”. Por Ramiz Alia e kishte parashikuar atë që po ndodhte në atë kongres. Ai kishte përgatitur me kujdes gjtihçka deri tek zgjedhja e kryetarit të ri, i cili do të ishte Fatos Nano.
Është interesant qëndrimi i atyre që po vetquheshin krahu i moderuar. Qëndrimi më i fortë kritik i tyre ndaj byrosë politike nuk kishte të bënte me krimet e komunizimit. Ata bën fajtorë anëtarët e Byrosë Politike dhe KQ, pse e kishin lënë partinë të dobësohej deri në këtë pike sa të vinte një ditë kur të dorëzonin “pushtetin popullor”.
Këta ishin të rinjtë socialist që do të drejtonte Fatos Nano në partinë që kishte ndryshuar vetëm emrin dhe po niste një histori të re bashkë me mëkatet e së shkuarës. Marrëveshja ishte bërë. Por para se të zgjidhej Nano, Ramiz Alia kishte testuar edhe të tjerë për kryetar të PS-së. Një prej tyre ishte edhe Maqo Lakrori, profesor i sapoardhur në Shqipëri nga studimet disavjeçare në Francë. Pas Lakrorit, emri i Fatos Nanos ishte i vetmi si kandidat për pasardhës i Ramiz Alisë. Fatos Nano u shpall kryetar i PS-së më 12 qershor 1991 dhe në krah të tij nënkryetar të kësaj partie u zgjodhën Servet Pëllumbin, Spiro Dede dhe Ismail Lleshi. Pas zgjedhjes së Nanos kryetar, u zgjodh edhe Kryesia e PS-së. Figurat e zgjedhura iu bënë të ditura kongresit, i cili e priti me entuziazëm përbërjen e udhëheqjes së partisë së re.
Fatos Nano deklaroi se partia që ai po drejtonte nuk kishte lidhje me të shkuarën komuniste të saj, 45 vitet kur PPSH kishte sunduar me dhunë popullin shqiptar. Për të tjerët ishte e papranueshem kjo logjike. Partia Demokratike vazhdonte ta kishte si një ndër çështjet kryesore të politikës së ditës, retorikën antikomuniste edhe pasi erdhi në pushtet më 22 mars të vitit 1992.
Veç PD-së, intelektualë të kohës të cilët kishin mbetur jashtë strukturave të dy partive, për shkak të rrethanave në të cilat ndodhen zhvillimet e dhjetorit ’90, nisën të shkruanin e të flisnin kundër PPSH-së së rinovuar në PS. Edi Rama ishte një prej tyre dhe ndoshta më radikali.
Edi Rama: PS të shpallet e jashtëligjshme, nuk ka kërkuar ndjesë për krimet e komunizimit
Në vitin 1991, Edi Rama ishte i pozicionuar shumë qartë kundër PPSH-së e më pas PS-së. Kishte qenë pedagog i pikturës në Akademinë e Arteve, atje ku pati një aktivizim të rëndësishëm të studentëve kundër sistemit komunist të cilët iu bashkuan lëvizjes studentore për rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri. Në librin “Refleksione”, botuar në vitin 1992, ku Edi Rama është bashkautor, shkruan:
“Shifrat e terrorit komunist janë jashtëzakonisht të mëdha në krahasim me popullatën e Shqipërisë dhe në krahasim me vende të tjera ish-komuniste të Evropës, prandaj edhe më e pamundur është harresa te ne…..Denoncimi pa kompromis i veprimtarisë kriminale të PPSH-së deri në nxjerrjen e saj jashtë ligjit, është i vetmi shteg nga duhet të kalojë PSSH-ja për të fituar të drejtën e qytetarisë në shoqërinë e ardhshme shqiptare dhe e vetmja mundësi për opozitën që atdheun e mbetur në duart e rrugaçëve të qosheve të errëta të nomenklaturës, apo të kriminelëve ordinerë, t’ua kthejë miliona njerëzve të ndershëm, që kanë humbur besimin. Për sa kohë PS-ja nuk ka bërë denoncimin e plotë të origjinës dhe historisë së saj, ajo s’mund ta ketë të drejtën për të qenë një parti e ligjshme” .
Kur Edi Rama shkruante në gazetën “Rilindja Demokratike”
Edi Rama ishte një ndër intelektualët që sulmohej shpesh nga gazeta partike e PS-së “Zëri i Popullit”. Rama u përfshi në një debat pasi Kuvendi Popullor vendosi me dekret të dënojë të gjithë atë që tentonin të dhunonin bustet e diktatorit Enver Hoxha. Ishte janari i vitit 1991.
Në gazetën zyrtare të PD-së, “Rilindja Demokratike”, të datës 26 janar 1991, Edi Rama, publikoi një artikull kundër dekretit të Kuvendit Popullor, sipas të cilit dënoheshin me burg ata që dhunonin përmendoret e heronjve, ku bashkë me Skënderbeun përfshiheshin edhe bustet e diktatorit Hoxha. Ndër të tjera Rama shkruan: “Nuk dija ndonjë rast, që populli të sulmojë përmendoret e heronjve të tij”.
Në numrin e datës 27 janar 1991, “Zëri i Popullit” botoi një përgjigje për Edi Ramën të titulluar “Pse çuditet Edi Rama?!”.
“Dje”
Zotit Edi Rama duke lexuar gazetën “Zëri i Popullit” i paska bërë shumë përshtypje dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor që mbron përmendoret dhe bustet e personaliteteve të shquara të historisë së popullit tonë. i ka bërë aq përshtypje, saqë është çuditur, pasi në numrin e RD-së, të ditës së djeshme, shkruan në shkrimin “Dje, sot, nesër”, “Nuk dija ndonjë rast, që populli të sulmojë përmendoret e heronjve të tij”. Së pari, ai s’ka përse çuditet, sepse ligje të tilla kanë edhe vendet e tjera të botës, e ai, po të interesohej, edhe mund ta mësonte këtë që të mos çuditej. Po të interesohej, ai si pedagog që është, do të mësonte gjithashtu se ligje të tilla nuk dalin për t’i mbrojtur monumentet nga populli, por nga keqbërësit, nga ata që nuk kanë asnjë kredo tjetër përveç asaj të dhunës.
“Sot”
Por, me sa duket, ai e ka hallin gjetkë. Ai çuditet që ka lexuar në dekret emrin e Enver Hoxhës, çuditet që pushteti popullor, për të cilin ai është njeriu më i shquar, pra Enver Hoxha, udhëheqësi i shquar i LANÇ dhe themeluesi i shtetit të ri shqiptar, të kishte nevojë për ndihmën e ligjit, që ta mbronte përmendoren e tij. Ai çuditet se ndoshta do t’u shërbejë atyre forcave destruktive, që duan të fshijnë me dhunë gjithçka ka arritur populli me punë e sakrifica në këto dekada me në krye PPSH-në. Por, ai nuk duhet të harrojë se edhe ndonjë nga liderët e PD-së ka deklaruar që nën drejtimin e shokut Enver Hoxha, Shqipëria pati arritje në shumë fusha.Askush nuk e ndalon Edi Ramën për të shprehur pikëpamjet e tij, për çfarë të dëshirojë. Kjo tashmë është mundësuar në shtypin e opozitës, por është krejt e natyrshme që aktet e dhunës dhe fyerjet publike, shteti t’i ndalojë me ligj. Sepse ato nuk i shërbejnë demokracisë, madje e frenojnë atë.
Zoti Edi Rama, që i lutet Zotit ta ruajë nga “anarkia patriotike”, do t’i thoshim se më e ndershme do të ishte të shfaqte hapur ndjesitë e tij personale, dhe t’i përgjigjej pyetjes: mos vallë ti je përkrahës i atyre që duan t’i shembin monumentet. Nëse je, thuaje troç dhe populli, pastaj, do të gjykojë më saktë se kush i shërben anarkisë patriotike, ti apo ligjet e shtetit, e ata që i zbatojnë ato.
“Po nesër?!”
i shkreti! E gënjen mendja se historia i ka hapur portat për të, se piedestalin e ka gati dhe… mjafton që të ngjitet mbi të. Por lavdia nuk është si gripi, që t’i ngjitet kujtdo”.
Këto janë radhët e një prej editorialeve të shpeshta asokohe “Zëri i Popullit”, gazetë që mbetet përsëri në treg me financimin e partisë që sot kryesohet nga Edi Rama. Demagogjia e gozhduar që në emrin e gazetës, sepse asnjëherë aty nuk ka folur Zëri i Popullit, u mundua të gozhdonte kryetarin e ardhshëm. Po falë harresës së shqiptarëve, që, për fat të keq, e kanë treguar edhe në raste kritike të historisë së tyre, gazeta e partisë do të vazhdojë ta mbajë këtë emër dhe Edi Rama mund të vazhdojë të jetë kryetar i kësaj partie. Kur mori vendimin të pozicionohej radikalisht kundër komunistëve dhe krimeve të tyre, madje edhe kundër Luftës Antifashiste-Nacionalçlirimtare, Edi Rama as që e kishte menduar se 18 vite më vonë, ai do të ishte pikërisht në krye të atyre njerëzve, që kanë dëshirë të të thërrasin akoma “shok”. Po “shokët” e ftuan në gjirin e tyre, madje edhe ata komunistë të devotshëm, që kishin shkruar në gazetën “ZP” të datës 27 janar 1991 (“I shkreti! E gënjen mendja se historia i ka hapur portat për të, se piedestalin e ka gati dhe… mjafton që të ngjitet mbi të. Por lavdia nuk është si gripi që t’i ngjitet kujtdo”).
Artikulli ishte pa emër por protagonistë të kohës, drejtues të PS-së që asokohe drejtonin edhe këtë gazette, thonë se artikulli është shkruar nga një prej drejutuesve kryesore të PS-së që u rendit si një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Edi Ramës kur ky i fundit sulmohej nga parardhësi i tij Fatos Nano.
Në artikullin e ardhshëm do të lexoni:Fillimet politike në PD të kryetarit të PS-së. Antikomunizmi i Edi Ramës në grupet e para të punës në PD-në e sapothemluar dhe përplasjet me Berishën.
/tesheshi.com/