Nga Blendi Gashi
Qeveria “Mustafa”, që nga marrja e pushtetit është kritikuar në vazhdimësi nga subjektet opozitare, për mostransparencë, jo llogaridhënie, mos përmbushje të premtimeve të dhëna në zgjedhje etj.
Qeverisë aktuale ka më shumë se një vit që i kërkohet dorëheqja nga partitë opozitare, VV, AAK e NISMA, pasi sipas tyre koalicioni PDK-LDK nuk ka bërë asgjë për të përmirësuar jetën e qytetarëve, por vetëm ka rehatuar militantët partiak në pozita të ndryshme shtetërore.
Ndërsa kryeministri Mustafa, ka kohë që ka paralajmëruar riformatimin e kabinetit qeveritar, pra largimin e disa ministrave për t’u zëvendësuar me emra të rinj, gjë që ende nuk ka ndodhur, deputetë të opozitës edhe në seancën e sotme plenare kanë kërkuar dorëheqjen e disa prej ministrave aktual.
Megjithatë, ka kohë që në thumb të kritikave shumë të mëdha për mos punë akuzohen tre ministra, dhe për çudi të tretë vijnë nga radhët e LDK-së.
Bëhet fjalë për Skënder Hysenin, ministër i Brendshëm, Imet Rrahmanin, ministër i Shëndetësisë dhe Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Soaciale.
Ministrave Hyseni dhe Abrashi, dorëheqja ju kërkua në seancën e sotme, derisa ministrit Rrahmani dorëheqja i është kërkuar në seancat e kaluara plenare.
Por, shtrohet pyetja e janë, Hyseni, Abrashi dhe Rrahamni ministrat më të dështuar të kabinetit qeveritar “Mustafa”?!
Ja opozitarët që duan largimin e Hysenit e Abrashit
Në seancën e sotme të kuvendit, ndodhi një përplasje ndërmjet deputetit të Vetëvendosje-s, Ismajl Kurteshi dhe ministrit të Punës dhe Mirëqenies, Arban Abrashi, për çështjen e pensioneve.
Gjatë fjalimit të tij, deputeti Kurteshi i kërkoi dorëheqje ministrit Arban Abrashi, për siç tha shkeljeve të shumta që ka konstatuar Auditi në raportin e tij për çështjen e pensioneve.
Pas kësaj deklarate të Kurteshit, i menjëhershëm qe reagimi i ministrit të LDK-së, i cili ia bëri të qartë deputetit të VV-së se nuk e ka ndërmend të largohet nga posti i ministrit.
“Nuk jap dorëheqje, sepse kam edhe shumë punë për të bërë”, ishte përgjigja e Abrashit, ndaj kërkesës së Kurteshit.
Deputetja Bajrami kërkon dorëheqjen e ministrit Hyseni
Kërkesë tjetër për dorëheqje të ministrave, paraqiti edhe deputetja e NISMA-s, Valdete Bajrami e cila kërkoi largimin e ministrit të Brendshëm, Skënder Hyseni.
Këtë kërkesë deputetja e arsyetoi me numrin e madh të vrasjeve që kanë ndodhur gjatë këtij viti, 16 gjithësejt, ku 9 prej tyre veç në muajin gusht.
“Situata është alarmante z.Ministër (Skender Hyseni), derisa ju ndiheni të qetë në këtë situata të rëndë dikush duhet të jap përgjegjësi për situatën e krijuar në vend dhe për mos sigurin në të cilën qytetarët po përballen për çdo ditë. E besoj që ju e dini se kush do të duhej të jepte llogari për këtë situat të rëndë”, ka thënë Bajrami.
Por, kërkesa e deputetës së NISMA-s hasi në vesh të shurdhër pasi as ministri Hyseni dhe askush tjetër nga kabineti qeveritar nuk foli për çështjen në fjalë.
Dorëheqjen e Hysenit gjatë kohës së krizës politike, protestave të opozitës, e ka kërkuar edhe Vetëvendosje dhe AAK.
Dorëheqjen e ministrit Rrahmani e kërkon PDK-ja, jo opozita
Pas ministrave Hyseni e Abrashi, ka kohë që dorëheqja i kërkohet edhe ministrit tjetër nga radhët e LDK-së, Imet Rrahmanit që udhëheq një prej sektorëve më të dështuar në vend, atij të Shëndetësisë.
Por, për dallim nga rastet e para, dorëheqjen e Rrahmanit nuk e kërkon opozita, por deputetët e PDK-së, partisë që është në koalicion me LDK-në.
Deputeti Bekim Haxhiu që në muajin dhjetor të vitit të kaluar kërkoi largimin e ministrit Rrahami me arsyetimin se ka ngecur implementimi i ligjit për sigurime shëndetësore, dhe është përkeqësuar gjendja e furnizimit me barna.
Por, edhe kjo kërkesë e deputetit të PDK-së nuk është marrë parasysh, pasi ministri Rrahamni vazhdon të udhëheq me dikaster e Shëndetësisë.
Megjithatë, është paksa e çuditshme se opozita kërkon dorëheqje veç të ministrave që vijnë nga taborri i LDK-së, por kërkesa të tilla nuk ka ndaj ministrave të PDK-së, përjashto këtu këresat për dorëheqjen e ish ministrit të Jashtëm Hashim Thaçit, tani president i vendit.
Ndryshe, ministrat më të dështuar në kabinetin qeveritar “Mustafa”, sipas analistëve vlerësohen Haki Demolli, Skënder Hyseni, Imet Rrahmani, Hykmete Bajrami , Arsim Bajrami dhe ish ministri Hashim Thaçi, kurse ministra të suksesshëm vlerësohen ministri i ekonomisë dhe i financave Avdullah Hoti dhe ministri i Kulturës, Kujtim Shala. /tesheshi.com/