Ditën e pushtimit të Shqipërisë , ndërsa familja mbretërore kishte lënë atdheun, në pallatin mbretëror kishin mësyrë grabitësit, të cilët kishin plaçkitur gjithë ç’kishin gjetur. Por vetëm pak javë më pas ishin hapur hetime dhe ishin gjetur disa prej autorëve, duke iu marrë mbrapsht edhe mallin e vjedhur nga pallati mbretëror. Mes objekteve që ishin grabitur ditën e pushtimit ishin raportuar nga vëshmbathjet, mobiljet apo edhe enët e kuzhinës që ishin përdorur deri ditën e arratisjes nga familja mbretërore. Por ngjarja kishte mbetur pa u zbardhur plotësisht dhe hetimet për gjetjen e mallrave të grabitura të familjes mbrëtërore do të vijonte gjatë gjithë verës së 1939.
Një dosje me tre dokuemnte të periudhës maj-korrik-gusht 1939, zbulon disa aspekte nga kjo ngjarje e bujshme në kryeqytetin shqiptar të sapopushtuar nga Italia fashiste.
Dokumentet dëshmojnë se Prefektuara e Tiranës kishte nisur menjëherë kërkimin e autorëve dhe rigrumbullimine sendeve të vjedhura. Ngjarjen e lajmëron në një shkresë drejtuar Ministrisë së Brendshme me 22 maj 1939, zv.prefekti dhe zv.kryetari i bashkisë së Tiranës, Banush Hamdi Bego.
Ai shkruan ndër të tjera:
“Kemi nderin t’ju parashtrojmë se që ditën e parë që mora në dorëzim postet si zav.prefekti dhe zav.kryetar’i bashkisë me anë të shpalljeve me kasnec si dhe em anë të autoriteteve kompetente, u mblodhën nji sasi tesha ose mobilje të grabituna prej personave të ndryshëm në pallatin ku banonte Zogu, disa prej këtyne ndodhen në komandën e qendrës të gjandarmërisë dhe nji sasi në këtë Bashki. Ndër këta tesha ndodhen disa që kanë nji vlerë të konsiderueshme, por po të shiten sot nuk e gjejnë atë vleftë. Për këtë arsye jemi të mejtimit që këto tesha si vazo, lugë, etj të dorëzohen në Muzeun Kombëtar ku mbas nji kohe kanë me pas vleftën historike të tyne dhe të tjerat si karrike etj, m’u shit. Pra lutemi të njoftohet mënyra e veprimti njikohësisht turdhnohet komanda e Qendrës për dorëzimin e teshave ne ket bashki.
Zav.kryetari i bashkisë kryeqytetit
Zav.prefekti
Banush Hamdi bego
Shënim me shkrim dore në fund të dokumentit:
Të shëkohet nji listë e teshavet tue shënue edhe vleftën aproksimative të tyne.
Pas kësaj shkrese, në dosjen me numër 106, ruhet një tjetër dokument që dëshmon se hetimet për të zbuluar autorët e grabitjes së pallatit mbretëror kishin vijuar për gjatë gjithë verës së 1939.
Më 11 korrik të atij vitit sërish zv.prefekti i Tiranës Banush Hamdi Bego i shkruan zyrës sekrete në Minsitrinë e Brendshme se:
“në kontrollin që asht bene ne hotelin e Leshit të vllajt të Jusuf Leshes nuk asht gjet asnji send i vjedhun nga të ish-pallatit mbretnor”.
Ndërsa me 2 gusht 1939 vetë prefekti i Tiranës Zejnel Prodani i shkruan zyrës sekrete të Minsitrisë së Brendshme se kishte lind nevoja të jepeshin shpërblime për të siguruar informata të sakta për poseduesit e sendeve të vjedhura nga pallati mbretëror.
Prodani shkruan:
“Komanda e Gjindarmërisë kryeqytetit na njofton se në qytetine këtushme ndodhen të mëshefuna nëpër shpija mjaft tesha të vjedhuna në ish pallatin mbretnuer në mbramjen e datës 7 të muejit prill. Për zbulimin e këtyne Komanda në fjalë shef nevojë të domosdoshme që tu premtojë diçka si shpërblim informatorëvet qi të tregojnë zell në detyrë qi të dëftojnë emnat e atyne që kanë material nga i Pallatit kundrejt shperblimit që do t’u jepet. Lutemi nëse shifet e arsyeshme prej asaj P.T.Ministrije të na vehet në dispozicion për këtë qëllim nji kredi prej 400 franga ari.
Prefekti Zejnel Prodani”.
Dokumentet nuk tregojmë më tej se si shkojnë hetimet mbi këtë vjedhje të bujshme të pallatit mbretëror natën e 7 prillit 1939 në Tiranë, por një detaj që bie në sy është fakti se në këto shkresa propozohet që disa sende të dërgoheshin në Muzeun Kombëtar për t’u ruajtur si vlerë historike, duke dëshmuar kujdesin e autoriteteve shtetërore edhe pse Shqipëria ishte tashmë nën pushimin e Italisë fashiste. /tesheshi.com/