Gjatë seancës së pardjeshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku Bosnjes iu vazhdua mandati i EUFOR-it, foli dhe ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, i cili tha se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet t’i marrë lehtë kërcënimet e Milorad Dodikut për të thyer unitetin e Bosnjë-Hercegovinës.
“Megjithë progresin dhe lajmet e mira, sfidat serioze mbeten. Jemi thellësisht të shqetësuar nga retorika e vazhdueshme nxitëse dhe secesioniste e liderit të SNSD-së Milorad Dodik, i cili kundërshton thelbin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe vë në pikëpyetje integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës. Siç ka theksuar edhe vetë më 29 gusht, vazhdimisht është në pritje të momentit dhe kushteve të duhura për të prishur unitetin e Bosnjës, vendit të tij”, tha Hoxha.
Ai theksoi se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet ta marrë lehtë Dodikun. Ai shtoi se Dodik nuk mungon të shprehë pikëpamjet e tij të diskutueshme, duke filluar nga lavdërimi i krimeve të luftës, kërcënimi i boshnjakëve dhe kërcënimi për ta bërë Bosnjen jofunksionale. /tesheshi.com/