Kur Gadara u shpall vendndodhje arkeologjike, banorëve iu kërkua të largohen gjetkë. Sipas Ahmad Alomarit që nuk iu nda vendlindjes së tij, ata e morrën shpirtin e qytetit me vete.
“Këtu është shtëpia ime”, thotë Ahmad Alomari, një jordanez ndërsa drejton turistët nëpër qytetin arkeologjik të Gadaras. Të zënë me ecjen përmes rrënojave, askush nuk ia vë veshin, mirëpo në një farë pike deklarata zë vend.
Një rreze e artë nga dielli i mëngjesit hyn përmes derës dhe kornizave të dritareve, duke ndriçuar një brendësi të mbushur me barishte. Ndoshta ai bën shaka, pasi aty ndodhen rrënojat antike të Gadaras, në qoshen veri-perëndimore të Jordanisë, e sigurisht që Alomari nuk është një prej banorëve të parë që u vendosën aty rreth vitit 63 para erës sonë kur qyteti u bë një pjesë e famshme e Dekapolit greko-romak, rrjetit të fuqishëm të 10 qyteteve të formuar pas pushtimit romak të Palestinës së lashtë.
Por, ai nuk bën shaka. Ai është rritur në një shtëpi të bërë nga gurët e rrënojave romake.
Kolona vetmitare që dikur mbanin tre teatro të hapura, një bazilikë dhe një tempull duken si pulla në faqen e kodrës. Nga shtëpia e Alomarit, mund të shohësh detin e Galilesë dhe Izraelin. E pak më në lindje, qoshen jugperëndimore të Sirisë.
45 vjet më parë, ai u lind pikërisht në këtë vend – në një shtëpi të thjeshtë ndërtuar nga gurët e lashtë të lënë pas nga banorët e periudhës romake.
Por vendndodhja e shtëpisë së fëmijërisë së tij ka një histori që daton në shekullin e shtatë para erës sonë: ptolemitët e më pas seleucidët e pushtuan qytetin përpara se të mbërrinin romakët në shekullin e parë para erës sonë. Pozicionuar në mënyrë strategjike përgjatë rrugëve tregtare, Gadara pati një periudhë të artë të rritjes ekonomike dhe kulturore, me artistë e akademikë që popullonin qytetin. Por pas disa shekujsh, popullariteti dhe ndikimi nisën të bien. Ndryshimet në rrugët tregtare dhe një seri tërmetesh e shkatërruan infrastrukturën në shekullin e tetë me gjasa edhe të ndihmuar nga braktisja më e fundit e Gadarës. Ajo që mbeti nga periudha romake qëndroi e boshatisur për një mijëvjeçar.
Në fund të shekullit të 19-të, akropolët antikë u mbushën me jetë të re. “Në atë kohë, njerëzit këtu ishin nomadë, merreshin me blegtori, por kishte edhe fermerë”, shpjegon Alomari. Kur një grup prej tyre, përfshirë edhe paraardhësit e tij, zbuluan skeletin e një ish-qyteti në faqen e kodrës, të pajisur me burime uji dhe materiale ndërtimi e në afërsi të leverdisshme nga toka e punueshme dhe lumi Jarmuk, ata vendosën të hedhin rrënjë. Stër-stërgjyshi i Alomarit ishte me gjasa një nga të parët që u vendosën në rrënoja dhe ndihmoi në ndërtimin e një fshati të ri në themelet e qytetit antik.
“Këto janë 2 mijëvjeçare”, thotë Alomari, duke drejtuar dorën përgjatë gurëve që formojnë muret e ish-shtëpisë së tij. “Por, babai im e ndërtoi këtë shtëpi më pak se 100 vjet më parë”.
Në vitet 1960, departamenti i Antikiteteve të Jordanisë e shpalli Gadaran një vendndodhje arkeologjik: tashmë vendi pret vendimin për statusin e UNESKO-s si pjesë e trashëgimisë botërore. Oxhaqet dhe elementë të tjerë që nuk konsideroheshin me vlerë kulturore apo historike u zhvendosën, dhe shtëpitë e ndërtuara nga komuniteti i Alomarit iu nënshtruan rrënimit. “Departamenti i Antikiteteve na ndaloi të mirëmbanim shtëpitë tona”, thotë ai.
“Gërrmimet e para që pashë ishin në fund të viteve 1970”, kujton Alomari. Shpejt pas kësaj, 1500 banorët e Gadaras morën urdhër të vendoseshin gjetkë.
Disa familje u larguan menjëherë, duke blerë shtëpi moderne në qytetet e afërta jordaneze si Um Qais. “Jeta nuk ishte e lehtë në fshat”, tregon Alomari. “Na duhej të mbushnim ujë në burime, të lanim rrobat me dorë. Kishte pluhur. Kishte gjarpërinj dhe akrepë. Dhe kishim energji elektrike vetëm për pak orë në ditë, gjatë mbrëmjes, që e sillnim me gjenerator”.
Por edhe pse ishte fëmijë, Alomari ishte në gjendje të dallonte se zemra e një vendi janë njerëzit. “Pa familjet, fshati u bë një trup pa shpirt”.
Duke u rritur në një vend arkeologjik, ai do shumë që ta ndajë jetën e fshatit me vizitorët: Gadara prej kohësh ka qenë një vendndodhje për pelegrinët e krishterë, pasi shumë besojnë se ai është vendi ku Jezu Krishti nxorri djajt nga dy burra dhe i shndërroi në një tufë derrash. Historitë e tij me këta vizitorë mbeten të preferuara.
“Herën e parë që fola me një turist, isha tetë vjeç”, kujton ai. “Isha ulur këtu”, thotë ai duke treguar hyrjen e një teatri romak të restauruar në pjesën perëndimore. Këtu ai luante kukafshehtaz me shokët.
Shëtitja shkon përmes qytetit antic, nëpër rrugë të shtruara me gurë, dhe sipër kodrës ku gjenden kolonat që shënojnë vendndodhjen e një bazilike.
“Kur familja ime u largua në një shtëpi të re në Um Qais në vitin 1987, unë refuzova të ikja nga fshati”, thotë Alomari. Ai ishte vetëm 14 vjeç në atë kohë. “Qëndrova vetëm për tre ditë. Fjeta në një tendë në çatinë e fshatit të vjetër, me gomarin dhe biçikletën pranë”.
Pas vite pas largimit të familjes, Alomari dëgjoi që arkeologët kërkonin ndihmës anglishtfolës. Edhe pse dinte shumë pak nga gjuha, ai ishte i vendosur të punonte me ta. Duke treguar të vërtetën, arriti të fitojë punën dhe e përmirësoi gjuhën.
Përkushtimi i tij në punë bëri që t’i ofrohej një detyrë si roje e muzeumit të antikiteve që ndodhej brenda vendndodhjes arkeologjike. “Nuk kërkova as kontratë e as pagesë”, thotë ai. “E vetmja gjë që doja ishte të jetoja më në fund sërish në fshat”.
Ai e shfrytëzoi maksimalisht mundësinë – duke punuar me arkeologët gjatë ditës e duke folur me turistët e duke studiuar anglishten gjatë natës. Bleu fjalorin e parë arabisht-anglisht dhe … nisi të lexojë e shkruajë poezi.
Endrra e tij është që ish-banorët e fshatit të rikthehen sërish në shtëpitë e tyre, por ai e di që kjo është e pamundur. Kështu që ka gjetur opcionin më të afërt: të punojë me nisma turistike që sjellin turistë në këtë vend.
Pa njerëz dhe histori, Gadara, sado e bukur, është thjesht një grumbull gurësh.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/