Socialistët festojnë sot ditëlindjen e 26 të partisë së tyre, që shënon në fakt ditën e ndryshimit të emrit nga Partia e Punës në Partinë Socialiste. Kush i ka mbijetuar ndryshimeve nga kasta e vjetër dhe festa e përkorë në prag të zgjedhjeve…
Më 12 qershor të vitit 1991, pak muaj pas rrëzimit të sistemit komunist dhe krijimi të parës parti pluraliste në vend, asaj Demokratike, Partia e Punës që kishte mbajtur mbi 40 vjet pushtetin komunist, akoma e kishte të zorshme të hapte sytë dhe të pranonte ndryshimin.
Kongresi i 10-të i PPSH-së u mblodh pikërisht në 12 qershor, 26 vite më parë, në Pallatin e Kongreseve, për të rinovuar vetveten. Por në vend të rinovimit delegatët e saj brohorisnin parrullat e diktatorës komuniste “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë” dhe të vetmin njeri që guxoi të bënte autokritikë të fortë, Dritëro Agollin, ata gati sa nuk e “hëngrën të gjallë”.
Që në nisje të fjalimit historik të shkrimtarit-politikan, vërshuan sharjet dhe ulërimat nga salla, ndërsa disa delegatë i çonin pusulla kërcënuese në podium. “Ju ma vërtetuat mendimin tim se Partia e Punës nuk rinovohet në qoftë se ju bëni kështu. Bërtitjet tuaja jashtë çdo civilizimi dhe jashtë çdo kohe të qytetëruar, janë pasqyrë e një partie që është shtrirë në shtrat e po jep shpirt ”- iu drejtua Agolli, turmës fanatike.
Por ndryshimi ndodhi, jo se donte turma, por se donte Ramiz Alia. Pas orëve të gjata të debateve të asaj dite të nxehtë vere, Partia e Punës hoqi dorë nga simbolet e vjetra, nga Enver Hoxha, nga statuti e programi, nga byroja politike, madje dhe nga emri.
Ajo u quajt Partia Socialiste dhe zgjodhi kryetar një intelektual të ri, ekonomistin Fatos Nano, i cili ashtu si doktor Sali Berisha në krahun tjetër, ishte bërë i njohur si antikonformisti i orëve të para të ndryshimit të sistemit me intervistën e tij të famshme tek Zëri i Amerikës
Nga PS-ja tek Rilindja, të mbijetuarit
Në ditën e lindjes së partisë, kryetari i saj Edi Rama deri në mesditë nuk e kishte marrë mundimin të bënte një urim publik. Po ashtu liderë të tjerë të kësaj partie e kanë “harruar” ditëlindjen e partisë ku militojnë. I vetmi socialist i orëve të para që e ka nisur ditën me një urim për 12 qershorin është Petro Koçi, ish-pjesëtar i kongresit të famshëm të 91-it.
Por Rama nuk ka vendosur ta kalojë në harresë këtë datë, pasi burime pranë selisë rozë bëjnë të ditur se është përgatitur një pritje e thjeshtë tek selia e kësaj partie pasdite në orën 19.30.
Në këtë festë pritet të rikthehet në zyrën nga ku iku në vitin 2005 pas dorëhehqjes edhe lideri historik i socialistëve, Fatos Nano. Pas pajtimit me pasardhësin e tij Edi Rama, shfaqja e bashkë e tyre nuk përbën më lajm. Rama deklaroi disa ditë më parë se kishte darkuar me Nanon dhe në kongreset e fundit të partisë e ka përshëndetur rolin dhe emrin e tij në PS, edhe pse ia mori zyrën e kryetarit pa bekimin e tij.
Vizionari Dritëro Agolli jetoi kaq gjatë sa të shihte se konservatorizmi komunist u thye më shpejt se sa ai mund të kishte menduar. Partia Socialiste nën drejtimin e Nanos u cilësua një parti me demokraci të brendshme përkundër së djathtës që u përça që në vitet e para të saj. Madje ai jetoi aq gjatë sa të shihte në krye të kësaj partie një djathtist si Edi Rama, i cili kishte qenë nismëtar i krijimit të Partisë Demokratike në ’90-ën.
Ndër vite mbijetuan disa prej emrave të vjetër të Partisë së Punës, po shumë pak prej tyre janë sot akoma tek ajo që sot quhet Rilindja, ku pas ardhjes së Ramës u ndryshuan simbolet e partisë duke ruajtur vetëm emrin e saj dhe më pas ngadalë u zëvendësua dhe kupola drejtuese duke përjashtuar “xhaketat e vjetra” të trashëguara nga ai kongres.
Gramoz Ruçi është një prej tyre, i çimentosur në selinë rozë që në vitit ’90 kur mbante detyrën e ministrit të brëndshëm.
Të gjitha protagonistët e atij kongresi që u pozicionuan me frikë tek krahu reformator si Moikom Zeqo, Maqo Lakrori, Servet Pëllumbi, Namik Dokle, etj.. nuk janë më në PS.
Të tjerë kanë ikur për t’u rikthyer sërish sic është Musa Ulqini, Petro Koçi, etj..
Çerekshekulli pas ndryshimit të emrit, PS-ja ruan akoma të forta strukturat e partisë që i trashëgoi nga organizimi perfekt i Partisë Punës, por ka në krye të saj të rinj e të reja që ishin vetëm fëmijë kur në kongresin e 10-të brohoritej për Enverin.
Aq e largët duket ajo ditë sa sot socialistët po bëjnë fushatë me dy gishtat lart që deri dje ishin simbol i kundërshtarëve politikë. /tesheshi.com/