Prej mujash, ka shpërthyer një e ashtëquajtuer krizë Gjiri ku katër vende arabe me në krye Saudinë, kanë bojkotuar Katarin. Pretendimet janë si ky vend, i vogël por me shumë peshë në zhvillimet rajonale, po krijon probleme stabilteti me politikat që ndjek.
Katërshja, si kusht për rikthimin e raporteve normale i ka vënë një paketë kërkesazh me 13 pika, ku ndër to përfshihet dhe mbyllja e Al Jazeera-s. Por Katari ka hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe nuk ka pranuar assesi të plotësojë ndonjë nga kërkesat, duke i quajtur ato si një cenim sovraniteti.
Gjithsesi, edhe pse ende nuk shfaqen shenja zgjidhjeje në horizont, përpjekjet nuk po rreshtin. Erdogan, vendi i të cilit po qëndron krah Katarit, me një politikë impenjative kundër terrorizmit, kërkon me ngulm zgjidhjen edhe në emër të unitetit rajonal islam, në një kohë trazirash.
Të njëjtën predispozitë shfaq dhe Rijadi, por që e sheh zgjidhjen vetëm tek plotësimi i 13 kërkesave.
Fayez Altemyat, i ngarkuari me punë i ambasadës saudite në Tiranë, dha një intervistë për tesheshi.com, ku u rrek të sqaronte dhe njëherë arsyet e krizës dhe rrugët e zgjidhjes së saj…
Intervistoi: Ermir Hoxha
I nderuar z.Fayez, si ndodhi që katër shtete arabe me krye Saudinë, i detyruan që t’i bëjnë bllokadë Katarit, duke e shoqëruar me disa kushte më pas heqjen e saj? Pra, cilat ishin ato lloj zhvillimesh që sollën mbërritjen deri në këtë pikë? Thënë ndryshe, cilat kanë qenë to zhvillime prapaskenike të cilat opinioni nuk i sheh e që për këtë arsye mund të ketë patur një gjykim të gabuar?
Ngjarjet dhe zhvillimet që çuan deri në vendimin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, republikës së Egjiptit, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni, për të ndërprerë marrëdhëniet me Katarin nuk janë të reja. Ka disa vite që këto vende i kërkojnë Katarit të heqë dorë nga gjithçka që cenon stabilitetin dhe sigurinë e këtyre vendeve dhe që bie ndesh me marrëveshjet e ndërsjellta në kuadër të Këshillit për Bashkëpunim mes vendeve të Gadishullit Arabik.
Arabia Saudite dhe shtetet e tjera i kanë dorëzuar Katarit një listë me persona të akuzuar për vepra terroriste dhe aktivitete që kanë vënë në shënjestër sigurinë dhe stabilitetin e Arabisë Saudite, vendeve bojkotuese dhe qytetarët e tyre. Megjithatë, pavarësisht kësaj dhe premtimeve boshe nga Katari për t’i mbyllur aktivitetet e këtyre individëve, qeveria e Doha-s ka bërë të kundërtën, duke pritur dhe strehuar individë të tjerë. Katari u ka lejuar të komplotojnë kundër vendeve bojkotuese në fjalë, nga brenda dhe jashtë, duke marrë në mbrojtje krerët dhe anëtarët e organizatave e grupeve terroriste dhe ekstremiste, madje, disave prej tyre u ka dhënë dhe nënshtetësinë.
Pas një durimi të gjatë nga ana e Arabisë Saudite dhe vendet e tjera bojkotuese, ku për vite me radhë i është kërkuar Katarit të heqë dorë nga aktet që cenojnë sigurinë e këtyre vendeve, duheshin marrë masa konkrete ndaj këtij vendi me qëllim që tu jepej fund këtyre akteve abuzive në rajon dhe të ndryshojë kurs për ti shërbyer sigurisë dhe stabilitetit të rajonit dhe mbarë botës.
Në zhvillime të tilla ka gjithnjë teori konspirative mbi “arsyet e vërteta” dhe në këta rast ato nuk kanë munguar. Ju, mundet të ofroni prova dhe garanci se nuk fshihet asgjë tjetër veç atyre që janë shprehur në qëndrimet publike të katershes arabe?
Faktet që zotëron Arabia Saudite dhe vendet bojkotuese janë të shumta. Lista me emrat e terroristëve dhe organizatave terroriste që mbështeten nga Katari përkon me listat ndërkombëtare. Institucionet amerikane, në veçanti Thesari i Shtetit, kanë publikuar lista me emra individësh të implikuar në akte terroriste, lista të cilat përkojnë me listat e vendeve bojkotuese dhe që japin informacion mbi natyrën e krimeve të tyre.
Autoritetet e Katarit kanë në dorë t’i vërtetojnë botës seriozitetin e tyre duke bashkëpunuar dhe duke ndërmarrë hapa konkrete me arrestimin dhe gjykimin e këtyre personave dhe strukturave, emrat e të cilëve janë publikuar në këto lista. E gjitha kjo le të bëhet në prezencë të përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe të organeve përkatëse.
Katër shtetet bojkotuese ua kanë shpërndarë listën e zezë të gjithë vendeve të botës, të cilave u janë sqaruar arsyet rreth përfshirjes së këtyre personave dhe strukturave në këtë listë. Në këtë listë gjenden emrat e personave dhe strukturave që vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës i konsiderojnë terroristë dhe mbështetës të terrorizmit dhe ekstremizmit. Njëkohësisht, kjo listë përmban dhe emra personash të cilët edhe organizata e OKB-së i konsideron terroristë.
Siç e ceka më lart, kemi një listë të gjatë me fakte të cilave Doha duhet t’u japë një përgjigje. Sigurisht që prej këtyre fakteve, ka të tilla që nuk janë publikuar. Ne ua kemi vënë në disponim autoriteteve të Katarit këto fakte që kur tërhoqëm ambasadorët tanë në vitin 2013. Kur flasim për shkeljet e Katarit, ne i përmbledhim ato në akte të papërgjegjshme në mbështetje të grupeve ekstremiste të cilat kanë si shënjestër vendet tona. Organet tona të sigurisë kanë shumë fakte mbi përpjekjet e cenimit të sigurisë dhe stabilitetit të vendit tonë.
Akuzat që vendet tona i kanë adresuar Katarit janë akuza që ia kanë adresuar dhe vende të tjera më parë, ndër to mund të cekim qeverinë amerikane për shembull, ku nënsekretari i Departamentit të Thesarit të Shtetit të SHBA, David Cohen ka thënë:”Financuesit e terrorit jetojnë të lirë në Katar, ku ligjet e vendit nuk i trajtojnë si kriminelë.”
Vetë presidenti amerikan ka deklaruar se Katari ka histori në financimin e terrorizmit në nivel shumë të lartë. Ministri i jashtëm i SHBA-ve, Riks Tillerson ka thënë:”Katari duhet të bëjë me shumë për t’i dhënë fund mbështetjes financiare, por edhe dëbimit të elementëve terroristë.”
Dhe ky është një argument mbi rolin e Katarit në mbështetjen dhe financimin e terrorizmit, si dhe mbi vullnetin serioz të SHBA-ve për ti dhënë fund lëvizjeve të Katarit në këtë drejtim.
Po 13 pikat e paketës kushtëzuese ndaj Katarit, i konsideroni të arsyeshme?
Kërkesat e shteteve bojkotuese janë të fokusuara në dhënien fund të mbështetjes së grupeve terroriste, dhe qeveria e Katarit e pati pranuar shumicën e këtyre kërkesave dhe pati premtuar ti plotësojë.
Kërkesa jonë e cila konsiston në dhënien fund të mbështetjes së terrorizmit nga ana e qeverisë së Katarit, vjen në kuadër të ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit të vendeve bojkotuese, ashtu siç masat e ndërmarra në këtë drejtim kanë si qëllim mbrojtjen e Katarit nga pasojat e veprimeve të pallogaritura mirë.
Siç dihet, ndër to është dhe mbyllja e kanalit Al Jazeera. Realisht, cilat janë mëkatet e këtij televizioni?
Kanali Al Jazeera është angazhuar me prodhimtari mediatike që nxit dhunën, kaosin dhe mbështet terrorizmin, duke marrë përsipër promovimin e parimeve dhe planeve terroriste, si dhe të kanaleve e gazetave mediatike që autoritetet e Katarit menaxhojnë sa haptazi dhe fshehurazi, dhe media të tilla, në fakt, nuk mund të quhen aspak media të lira. Sauditët e kuptojnë mirë rrezikun e përmbajtjes të cilën orvaten ta promovojnë mbështetësit e terrorizmit dhe Arabia Saudite po punon që ta mbyllë çdo hapësirë ku promovohet dhuna dhe terrorizmi, pavarësisht vendit dhe origjinës së tij. Fatkeqësisht, autoritetet e Katarit konsiderohen si mbështetësi kryesor i këtyre kanaleve dhe uebpage-ve në rajon dhe Evropë. Politika e mbylljes së podiumeve mediatike ekstremiste nuk është një politikë tipike e Arabisë Saudite, por ndiqet nga të gjitha shtetet e botës, ku si shembull mund të marrim Francën, e cila mbylli kanale televizive dhe uebpage, si Almanar të Hizbullah.
A mund të jenë të negociueshme disa nga 13 pikat e paketës kushtëzuese?
Kërkesat kanë si fokus ndërprerjen e mbështjetjes për grupet terroriste dhe këtu nuk bëhen lëshime e diskutime. Siguria, stabiliteti, lufta ndaj terrorizmit dhe konsiderimi i tij si një krim është objektivi i të gjitha shteteve të botës dhe jo vetëm i shteteve të rajonit.
Kur ka një krizë mes palësh, gjithnjë në parim duhet shfaqur dhe një predispozitë për lëshime të ndërsjellta, thënë ndryshë lëvizje nga pozicionet e ngurta dhe fikse, për të arritur drejt një zgjidhje me përfitime optimale. Katërshja e ka këtë predizpozitë? E merr në konsideratë këtë parim?
Për jatë 20 viteve kemi zhvilluar shumë bisedime me Katarin dhe shumë premtime janë bërë, të cilat, për hir të së vërtetës nuk janë mbajtur. Premtimi më i rëndësishëm nga ana e Katarit ishte marrëveshja e Rijadit në vitin 2013 dhe marrëveshja plotësuese në vitin 2014. E theksoj që ne nuk e refuzojmë dialogun kur është konstruktiv dhe i dobishëm me ata që e meritojnë të ulemi dhe të dialogojmë. Por, momentalisht nuk ka rëndësi nëse dialogu zhvillohet i drejtpërdrejtë apo indirekt, ajo që ka rëndësi për momentin është që Katari t’i përmbajet ndërprerjes së financimit të terrorizmit dhe ekstremizmit. Pavarësisht gjithçkaje që ka ndodhur, Katari mbetet pjesë e pandashme e Gadishullit dhe nuk pranojmë t’i ndodhë asgjë e keqe.
Nëse nisemi nga pikëvështrimi i mësipërm, nga një lloj fleksibiliteti në qëndrimet e dy palëve, çfarë mund të ofronte katërshja në funksion të zgjidhjes së krizës?
Ajo çfarë ka bërë Katari gjatë kësaj periudhe duhet parë si qasje e vazhdueshme për vite me radhënë mbështetje të terrorizmit. Shtetet bojkotuese e morën vendimin e bojkotit si një mesazh nxitës për Katarin me qëllim që të korrigjojë status quo-në e tij dhe të ndërpresë mbështetjen dhe financimin e grupeve terroriste dhe ekstremiste. Këto masa do të kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të shteteve bojkotuese, por edhe në ruajtjen e sigurisë të vetë Katarit.
Kriza e Gjirit ka dhe një vokacion delikat: konfliktualietin dhe përçarjen në botën islame, gjë e cila mbjell dëshpërim në komunitetet e besimtarëve kudo në botë. Në qasjen e katërshes, a merret në konsideratë kjo pikë? E them këtë pasi sot më shumë së kurrë kërkohet një unitet në botën islame, përballë realiteteve gjithnjë e me të egra karshi tyre?
Autoritetet në Katar janë të përfshira në sponsorizimin dhe mbështetjen e grupeve terroriste dhe sektare, mes tyre ISIS, Fronti i Al-nusra, Ahrar Bahrajn, Hizbullah, Vëllezërit Myslimanë, Brigadat e mbrojtjes së Bangazit dhe të tjerë, shto mbështetjen që u jep grupeve terroriste që mbështet Irani brenda Arabisë Saudite, por edhe mbështetjes së milicisë Huthi në Jemen. Këto grupe terroriste ndërmarrin akte terroriste në vendet e rajonit, në vende muslimane dhe në vende të tjera në botë, në emër të Islamit i cili nuk ka asnjë lidhe me to. Këto akte dhe praktika të Katarit kontribuojnë thellësisht në përçarjen e botës islame, prandaj dhe është detyrë e të gjithëve ne që të përballemi me këto grupe terroriste dhe t’i luftojmë ato. Heshtja nuk vlen në këtë rast. Nevoja për të bashkuar rreshtat në luftë kundër terrorizmit të cilin e refuzon Islami dhe çfo fe qiellore, është më emergjente se kurdo herë më parë.
Në parim, është Saudia e gatshme të investohet në paqen rajonale dhe në unitetin e botës islame? Them Saudia, pasi një pjesë e mirë e botës islame, pse jo, pjesa më dominante, tek ajo i ka sytë, tek standartet që ajo promovon dhe rolin që merr në funksion të ngritjes së vetëdijes islame…
Arabia Saudite është lider në përhapjen e paqes dhe promovimit të imazhit të vërtetë dhe të saktë të islamit dhe muslimanëve. Ajo është goxha aktive për kapërcimin e mosmarrëveshjeve mes shteteve islame, në përputhje me domosdoshmërinë e ruajtjes së unitetit dhe solidaritetit në botën islame. Ajo ka një kontribut të vyer në këtë sferë dhe në këtë kuadër mund të cek ftesën e Arabisë Saudite për të mbajtur një samit islamo-amerikan në muajin maj 2017, ftesë të cilës iu përgjigjën 55 vende islame, shto SHBA-të. Mbajtja e samitit kishte për qëllim ruajtjen e unitetit të botës islame dhe përballjen me sfidat e mëdha me të cilat ndeshet bota islame, përhapjen e tolerancës dhe forcimin e gjuhës së dialogut ndërkulturor dhe ndërfetar.
Nën hijen e kësaj periudhe të rrezikshme që po kalon bota islame, Arabia Saudite konsiderohet si një bazë e rëndësishme për të gjitha qëndrimet në mbrojtje të së drejtës islame. Politika e Arabisë Saudite mbështetet mbi parime të palëkundura dhe të dhëna gjeografike, historike, fetare, ekonomike dhe të sigurisë, në kuadrin e ngritjes së marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe forcimit të marrëdhënieve me vendet e botës islame në shërbim të interesave të përbashkëta dhe në mbrojtje të kauzave të tyre.
Pavarësisht mospajtimeve të ndryshme, a i vlerësoni mesazhet e presidentit Erdogan për unitet në botën islame? Porse nga ana tjetër, ku mund të konsistojnë gabimet e tij në qasjen ndaj krizës aktuale?
Në rast krizash, kushdo që kërkon të kontribuojë në zgjidhjen e tyre, duhet të mbajë qëndrim të mesëm dhe në distancë të barabartë me palët. Ajo që u pa në krizën aktuale mes vendeve bojkotuese dhe Katarit është se Turqia dhe mediat turke herë mbanin qëndrim neutral dhe herë të tjera rreshtoheshin në anën e Katarit. Ne konstatuam një nxitim nga ana e Turqisë për dërgimin e trupave dhe pajisjeve ushtarake në Katar, gjë e cila e rëndon krizën dhe nuk e zgjidh atë, kjo pavarësisht se zgjidhja ushtarake nuk është diskutuar fare. Katari është një shtet vëlla, anëtar i Këshillit për Bashkëpunim mes vendeve të Gadishullit dhe nuk kemi asnjë arsye për të dëmtuar qytetarët e tij. Në fund, zgjidhja u përket vendeve të Gadishullit Arabik dhe ajo do të vijë herët a vonë. Shtetet që adaptojnë qëndrime të cilat e përkeqësojnë krizën duhet të ndërgjegjësohen për atë që po bëjnë, sepse, në fund mund të humbasin marrëdhëniet e mira me palët e tjera në konflikt.
Dhe në fund, a jeni shpresëplotë që kjo krizë do zgjidhet, dhe se një erë e re marrëdhenies, paqeje dhe uniteti, do mbizotërojë në vendet e Gjirit?
Ashtu shpresojmë. Sa më shpejt që Katari reagon pozitivisht ndaj kërkesave, aq më shpejt do të zgjidhet dhe kapërcehet kjo krizë. Është detyrë e Katarit që ta korrigjojë kursin aktual, pasi Doha nuk mund të vazhdojë në të njëjtën linjë politike, ajo duhet ti japë fund sponsorizimit të terrorizmit. Mbretëria e Arabisë Saudite e respekton ndërmjetësimin vëllazëror të shtetit të Kuvajtit për zgjidhjen e krizës dhe është deklaruar mbi pranimin e ndërmjetësisë kuvajtjane që është për një zgjidhje brenda kuadrit të vendeve të Gadishullit Arabik. Ministri i jashtëm saudit (Adel Xhubejr) e ka ritheksuar se vendet e Gadishullit Arabik janë të afta ti zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre dhe Katarit pa asistencë të jashtme. /tesheshi.com/