Politikës shtetërore maqedonase, asaj që buron nga VMRO-ja, nuk i del inati ndaj asaj që ndodhi me partitë shqiptare nën diktatin e Edi Ramës, krijimin e një platforme të përbashkët me anë të së cilës ka kushtëzuar palën maqedonase si asnjëherë tjetër, e cila po mbahet gjallë dhe me deklarime të herëpashershme nga ky i fundit.
Në një ragim të fundit të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Shkup, kreut të qeverisë shqiptare i kërkohet që mos përzihet në punët e politikës maqedonase.
“Në Maqedoni ka përfaqësues legjitim të të gjithë qytetarëve që jetojnë në vend dhe ata janë faktorët e vetëm për të sjellë vendime. Është mirë që mënyra e veprimit në Maqedoni ku ka multikulturalizëm dhe integrim të të gjithë etniteteve të zbatohet edhe në shtetet fqinje. Nuk duam të komentojmë më shumë se kush është duke u përzier në Maqedoni por ju bëjmë thirrje që të respektojë pavarësinë e Maqedonisë dhe të respektojnë vullnetin e qytetarëve. Qytetarët për ne janë të rëndësishëm dhe prej atyre pritet që të sjellin vendime brenda në shtet”, thuhet në reagimin e MPJ-së në Maqedoni.
Reagim vjen pas deklaratës së Edi Ramës para dy ditësh ku tha se pa shqiptarët nuk ka Maqedoni dhe se shqiptarët me maqedonasit duhet të jenë të barabartë si dy sytë. /tesheshi.com/