Nga Blendi Gashi
Ministrja e Drejtësisë në qeverinë “Mustafa”, Dhurata Hoxha, edhe pse një politikane e re, me veprimet e saj po tregon se është në një vijë me ata vjetërit. Kjo për shkak se nuk merr pjesë në seanca plenare duke u ikur kështu pyetjeve që kanë deputetët për të.
Kjo ka bërë që këta të fundit, sidomos ata opozitarë, të ngrejnë zërin për heshtjen që ka zgjedhur ministrja Hoxha, e cila në muajin korrik kur mori pozitën shprehu përkushtimin për luftë kundër krimit e korrupsionit mbi parimin se askush nuk është mbi ligjin.
Por, dy muaj e gjysmë pas zgjedhjes së saj, vijnë zëra që thonë se derisa krimi dhe korrupsioni në vend po shënojnë rrite, ministrja Hoxha po hesht dhe nuk po flet për veprimet që do të ndërmerr për të luftuar këto dukuri negative.
Është deputetja e Vetëvendosje-s, Albulena Haxhiu, pra një zë femre, kundër një femre tjetër, që këtë të enjte në parlamentin e Kosovës, bëri të ditur se se në dy seancat e fundit nuk po arrin të marrë përgjigje nga ministrja Hoxha për pyetjen që dëshiron t’ia parashtroi pasi ajo po mungon në seanca.
“Ministrja Hoxha ka deklaruar se do të angazhohet në forcimin e sistemit të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit. Por, krimi i organizuar dhe korrupsioni çdo ditë po rriten derisa zyrtarët e shtetit kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme…”, tha Haxhiu.
Megjithatë, përkundër mungesës së ministers, deputetja e VV-së në seancën e sotme parashtroi pyetjen; “Cilat do të jenë veprimet konkrete që do të ndërmerr Ministria e Drejtësisë (e drejtuar nga Dhurata Hoxha) në luftimin e korrupsonit?”, pyeti deputetja Haxhiu.
Por deputetja e VV-së e cila sot nuk mori përgjigje pasi mungoi ministrja Hoxha, i mbetet të presë nëse do të marrë përgjigje me shkrim për pyetjen e bërë.
“Duke qenë e vetëdijshme edhe vet ministrja Hoxha se krimi dhe korrupsioni po e shkatërrojnë vendin, është e udhës që të ndërmerr hapa dhe të tregojë se çfarë veprime do të ndërmerr që sadopak të luftojë këtë kancer të shoqërisë dhe të mos fshehet mes takimeve protokollare të përditshme ku në fund të tyre e ka fjalën plot anti-korrupsion e anti-krim”, ishte pyetje e Haxhiut në distancë.
“S’pritet që ministrja Hoxha të çojë prapa grilave bashkëpartiakët”
Edhe analistët në vend thonë edhe pse minsitrja Hoxha është gjeneratë më e re e politikanëve, ajo po tregohet e papërgjegjshme si edhe shumë politikanë më të vjetër se ajo.
Faik Krasniqi, analist në vend thotë se nuk mund të pritet nga një ministre që ta luftojë korrupsionin e krimin, e cila mungon radhazi në dy seanca plenare, pasi sipas tij kjo tregon papërgjegjshmërinë e saj si ministre.
“Me këto veprime të saj, ajo është duke ndjekur rrugën e politikanëve të vjetër, të cilët nuk japin as sot e asaj dite llogari për asgjë.Heshtja e saj dhe ikja nga pyetjet e deputetëve duke mos marrë pjesë në seanca plenare, tregon pikë së pari se ajo është emëruar në atë post vetëm sa për sy e faqe, dhe që nuk është e aftë të luftojë krimin e korrupsionin. Tek e fundit nuk mund të presim nga Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha ta luftojë krimin dhe korrupsionin, sepse i duhet që prapa grilave t’i dërgojë bashkëpartiakët e saj, duke e ditur që pjesa dërrmuese e zyrtarëve të PDK-së janë në përfshirë në krime të natyrave të ndryshme. Prandaj, është pak e pritshme që ministrja Hoxha të jetë ndryshe nga parardhësit e saj”, thotë Krasniqi, për tesheshi.com.
Se krimi e korrupsioni kanë kapluar edhe instancat më të larta shtetërore, javë më parë bëri të ditur edhe kryeprokurori Aleksandër Lumezi, i cili konfirmoi se janë mbi 33 raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë, përfshirë edhe nivelet ministrore që po shqyrtohen nga Prokuroria e shtetit.
Kryeprokurori Lumezi tha se gjysma nga 33 rastet janë ngritur akuzat, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë shtetërorë. /tesheshi.com/