Byroja e Kuvendit vendosi të përjashtojë me 10 ditë 7 deputetët e opozitës, ndërsa me 5 ditë përjashtim u dënua deputeti socialist Bujar Çela, për një incident me deputeten e LSI-së gjatë seancës “tymuese” të zgjedhjes së kryeprokurores së përkohshme Arta Marku.
Byroja e Kuvendit pranoi në këtë mënyrë, kërkesën e një grupi deputetësh të PS-së për të përjashtuar deputetët: Monika Kryemadhi, Endrit Brahimllari, Kejdi Mehmetaj, Ervin Salianji, Endri Hasa, Flamur Noka dhe Bardh Spahia.
Mbledhja nisi me debate, pasi opozita ka kërkuar prezencën e medias, por kjo kërkesë u hodh poshtë nga kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi. Debatet kanë qenë të ashpra sidomos me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi e cila ka replikuar disa herë. “Do të përfaqësoj denjësisht popullin, do ti bindem kushtetutës dhe ligjeve, do të mbroj lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë . Do të respektoj dhe do të mbroj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të punoj me të gjitha kushtet e mia për përparimin e Atdheut dhe mirëqenien e popullit tim. Përparimi i atdheut dhe mirëqenia e popullit time nuk është droga dhe krimi i organizuar”, deklaroi Kryemadhi, duke cituar betimin në Kuvend si deputete dhe duke pretenduar se ishte brenda të gjitha rregullave në sjelljen e saj gjatë seancës së të hënës në Kuvend. /tesheshi.com/