Po qartësohet tashmë ajo që ka ndodhur në një lokal në aksin Fushë Krujë – Thumanë, ku një bandë Rrajash rrahën barbarisht dy kushërinj, për të cilët u tha në fillim se ishin vëllezër, por që qenkan djem xhaxhallarësh.
Njëri prej tyre ka folur nga spitali, duke thënë se ishin aty për të biseduar me inxhinierin e gurores së Rrajave se si mund të ulnin intensitetin e shpërthimeve me dinamit, pasi u cenoheshin murret e shtëpive që kishin ndërtuar.
Jashar Maja, njëri nga të dhunuarit, tha:
“Ishim në autostradë te një lokal po pinim kafe dhe në atë moment çuni i xhajës(Bilbil Maja) kishte lënë takim me inxhinierin e gurores. Edhe duke diskutuar me të për problemin e guroreve që mos t’i bënim me rendiment më të ulët minat se na shëmben shtëpitë.
Atëherë jemi ulur në kafe të tre dhe nuk ka zgjatur asnjë minutë, kanë ardhur ata Rrajat. Na kanë goditur me shkop gome, me tyta armësh. Kanë pasur armë se thonë nuk kanë pasur. Ne kemi dhe video të tjera ku duken komplet çunat. Ka qene Xhelali, Përparimi, Flamur Rraja, kemi njohur shumë.
Kemi marrë policinë në telefon pasi kanë ikur ata. Kam tërhequr çunin e xhajës zvarrë dhe kam dal në rrugë. Policia erdhi pas dy orësh. Na kanë shoqëruar në Komisariatin e Fushë Krujës dhe më pas në Spitalin Ushtarak.
Unë kërkoj drejtësi nga shteti, nëse nuk vepron, nuk ia fal Xhelal Rrajës. Kam vetëm tre vjet që kam hyrë në shtëpi dhe instalimet i kam akoma pa vënë”, u shpreh shtetasi Jashari Maja.
Dhe një ndër dhunuesit më të ashpër, deri në mizori, edhe me pistoletë në dorë, duke drejtuar tytën te i dhunuari, saktë Flamur Rraja, është vëllai i deputetit Rrahman Rraja.
Nga ana tjetër, Policia deklaron se ka shoqëruar në komisariat autorët e rrahjes: I. Rr., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, K. P., 57 vjeç, A. Rr., 28 vjeç, P. Rr., 65 vjeç, N. M., 35 vjeç, L. Rr., 54 vjeç, D. Rr., 31 vjeç.
Në kërkim janë shpallur shtetasit Xh. Rr., 65 vjeç, F. Rr., 55 vjeç, dhe K. Rr., 31 vjeç. /tesheshi.com/