Në Kuvendin e Shqipërisë tashmë është kthyer mmodë që sipërmarrës apo biznesmenë të jenë përfaqësues të partive të ndryshme.
Kjo ka ndodhur edhe në këtë legjislaturë, megjithëse në krahasim me të tjerat, numri i tyre në Parlament është reduktuar ndjeshëm.
Aktualisht në Kuvend ndodhen 3 biznesmenë të mëdhenj, të cilët në bazë të ligjit duhet të heqin dorë nga sipërmarrjet, ose të kalojnë në statusin pasivë të kuotave të tyre.
Vullnet Sinaj, Ilir Ndraxhi, Agron Shehaj janë tre sipërmarrës të mëdhenj që katër vitet e ardhshme do të jenë deputetë, ndërsa emra të tjerë si Flamur Shehu (industria tekstile), Fuad Haxhiymeri (industria përpunuese), apo Agron Duka, ndonëse ishin në lista nuk aritën të sigurojnë një vend në Kuvend, shkruan Monitor.
Vullnet Sinaj, ideatori i një prej rrjeteve më të mëdha të supermarketeve në vend, Big Market, në të gjithë rrjetin e supermarketeve të tij ka kaluar në zotërues pasiv të kuotave dhe Znj Elona Koshi (Budini) është zotëruese aktive e kuotave, sipas deklarimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Në deklarimet e mëparshme, Sinaj e pranon që sipërmarrësit janë idealistë, se kështu e kanë nisur biznesin, me një ide, dhe idenë e tyre e kanë bërë realitet me punën e tyre të palodhur, me sakrifica pa kufi. “Biznesmenët e suksesshëm janë njerëz me ide. Po kështu, ata kanë ide për zhvillimin ekonomik të vendit, për ndryshimin e situatës, për të luftuar burokracinë e korrupsionin. Ne do mbështesim bizneset e zonave ku do të jenë, pasi jemi të bindur se zhvillimi i vendit do të vijë vetëm nëpërmjet zhvillimit të sektorit privat. Nuk mund të bësh biznese pa qenë i guximshëm. Biznesmenët e suksesshëm nuk kanë frikë, se po të trembeshin nuk do ta arrinin suksesin”, tha Sinaj, që tashmë është deputet i Partisë Socialiste.
Ilir Ndraxhi, vijon ende të zotëroje 72% të aksioneve të kompanisë së tij I.A.M, por, ai në korrik është larguar si administrator. Kompania e tij ka aktivitet në fushën e plehrave kimike, duke u renditur mes 200 më të mëdhenjve (xhiro 1.8 miliardë lekë në 2016-n), ndërsa vetë Ndraxhi ka eksperience të gjatë në bujqësi. “Sektori i bujqësisë që ka një kontribut të madh në ekonominë e vendit, është i nënpërfaqësuar në politikë dhe çdo ditë e më shumë po vuan pasojat e mungesës së vëmendjes. Gjithë këto kohë dhe në ditët në vijim jam duke punuar për një program dedikuar sektorit të bujqësisë, për të cilin do të loboj shumë edhe në Parlament”, ka pohuar Ndraxhi, deputet i PS-së.
Agron Shehaj, sipërmarrësi kryesor në aktivitetin e call center është tashmë deputet aktiv i Partisë Demokratike. Përmes kompanisë Intercom Data Service, që ka rreth 3 mijë të punësuar, Shehaj i dha një dimension tjetër aktivitetit të call center në Shqipëri, që sot po punëson mijëra të rinj. Shehaj në shtator është larguar si administrator i shoqërisë, ndërsa Intercom Data Service është në pronësi të Sestante Holdings S.R.L.
Shehaj ka pohuar se vendosi t’i futet politikës edhe për të kthyer mbrapsht një prirje të vjetër të saj. “Shndërrimin në biznesmenë të njerëzve të politikës. Të cilët e nisin si kandidatë, qofshin këta për deputetë, ministra apo kryetarë bashkish, dhe shndërrohen në biznesmenë. Unë dua të futem si biznesmen (i suksesshëm) dhe të veproj në politikë pa u bërë, domosdoshmërisht, politikan”.
Një sipërmarrës, thotë ai, mendon për vete, por edhe për të punësuarit e tij; ai nuk e harron kurrë se ka një lidhje organike mes punëdhënësit dhe punëmarrësve dhe, nëse kjo lidhje shkëputet, bie funksioni kryesor, që është suksesi dhe jeta e biznesit.
Sipas ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, deputeti:
a) nuk mund të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse;
b) nuk mund të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, të noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “a” të këtij neni dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër;
c) nuk mund të zotërojë, në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare, nëse ajo rezulton me pozitë dominuese në treg. /tesheshi.com/