Një shtetase në Kosovë meinicialet M.M, ndonëse në anonimitet, ka vendosur të publikojë rastin e babait të saj, si një lloj denoncimi për të vërtetën e testimeve në shërbimin shëndetësor përkatës. Sipas saj, realiteti është krejt tjetër nga ai që servirin autoritetet, e për këtë, i referohet përvojës personale.
Ja ç’shkruan ajo:
“Ministri i Shëndetësisë, më herët mohoi lajmet se në Klinikën Infektive nuk po bëhen testime për Covid-19.
Kreu i IKSHP-së, në një intervistë rekomandon qe personat pa simptomë të qëndrojnë në vetëizolim dhe të testohen vetëm të infektuarit si dhe ata me sëmundje të rënda kronike, ose ata që kanë qenë në kontakt të ngushtë me një të infektuar.
Më tutje, ai thotë se për të gjithë qytetarët që kanë indikacione epidemiologjike “që përmenden në strategjinë tonë, kemi teste të mjaftueshme për testim dhe të gjithë qytetarët me indikacione epidemiologjike testohen.”
Babai im ishte sot rreth mesditës në Kliniken Infektive me udhëzim të mjekut nga Qendra Mjekësore Familjare në momentin kur drejtoresha shpërndante ndalimin e testimeve.
Edhe pse ai është 71 vjeç, me sëmundjet kronike që i permend drejtori i IKSHP-se dhe simptomat e numëruara nga mjekja infektologe, po sot iu mohua testimi dhe ky u kushtëzua me spitalizim.
Për këtë është provë dëshmia e raportit të mjekes infektologe.
Tani pyes: a është e leverdisshme për shtetin që të bëjë testimin e një pacienti që i plotëson të gjitha kriteret, apo të spitalizohet, të zërë vendin e dikujt që mund të jetë më i sëmurë se ai dhe të kushtojë më shtrenjtë?
Me këtë kusht, pamundësohet identifikimi i të infektuarve me COVID-19 dhe komplikimi i gjendjes në tërësi”. /tesheshi.com/