Nga Blendi Gashi
Kryeministri Ramush Haradinaj, çdo ditë e më shumë po përmend idenë që Demarkacioni me Malin e Zi të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit, kjo pasi e ka pranuar se nuk janë votat për ta ratifikuar, përkundër thirrjes së vazhdueshme të ndërkombëtarëve.
Por kundër kësaj ideje, hapur ka dalë presidenti Hashim Thaçi i cili ka kërkuar nga institucionet gjegjëse të veprojnë duke thënë se nuk mund të vazhdohet në pafundësi që individë të caktuar, shtetin ta trajtojnë si pronë private, por edhe vet PDK ku kreu i saj Kadri Veseli ka thënë të enjten mbrëma në Klan Kosova se partia e tij në masën mbi 95% i ka votat për Demarkacionin.
Duke parë ngulmin e Haradinajt, pyetja që më së shumti po shtrohet në politikën kosovare është nëse ideja e tij që Demarkacioni të dërgohet në arbitrazh është zgjidhje?
Njohësi i fushës së arbitrazhit, Visar Ramaj në një bisedë për tesheshi.com thotë se arbitrazhi paraqet metodë alternative të zgjidhjes së kontesteve, e cila si karakteristikë kryesore e ka pajtimin e palëve që vendimi i arbitrazhit për kontestin e tyre të jetë përfundimtar dhe i detyrueshëm për palët.
“Natyra juridike e arbitrazhit kërkon plotësimin e tri parakushteve, ekzistimin e një kontesti-mosmarrëveshjeje, pajtimin me shkrim të palëve për zgjidhjen e kontestit me arbitrazh dhe zbatimin e vendimit të arbitrazhit si përfundimtar dhe të detyrueshem, pa mundësi të ankesës. Në rastin e Kosovës dhe Malit të Zi në lidhje me përcaktimin e vijes kufitare asnjë prej kushteve nuk plotësohet për te drejtuar rastin në arbitrazh.
Fillimisht, nga aspekti juridik nuk kemi kontest. Në mes dy vendeve ka një marrëveshje për Demarkacion të nënshkruar, e cila është ratifikuar ne Parlamentin e Malit te Zi dhe pret ratifikimin në Parlamentin e Kosovës. Në një situatë të tillë nuk ka kontest në raportet Kosovë – Mali i Zi, por kjo është problem i brendshëm politik i Kosovës”, thotë Ramaj për tesheshi.com.
Ai shprehet se parakusht kryesor për arbitrazh është një marrëveshje me shkrim në mes të dy palëve, në të cilën palët duhet të përcaktojnë se çfarë është mos-marrëveshja dhe të pajtohen që ajo mos-marrëveshje të zgjidhet me arbitrazh.
“Në një marrëveshje të tillë për arbitrazh Mali i Zi dhe Kosova duhet të përcaktojnë mënyrën e zgjedhjes arbitrave (gjyqtarëve), vendin e arbitrazhit dhe institucionin, gjuhën dhe ligjin e aplikueshem. Për të qenë i vlefshem arbitrazhi, një marrëveshje e tillë duhet të jetë me shkrim dhe nënshkruar nga dy palët.
Vendimi i cili del nga një procedurë e tillë është përfundimtar dhe i zbatueshëm”, thotë Ramaj.
Ai në fund thotë se Kosova nuk e ka të qartë nëse objekt i kontestit është sa i përket metodologjisë (kufirit kadastral apo kontrolli efektiv) apo nëse ka pretendime për gabime në terren përkundër se është zgjedhur metodologjia e kërkuar. /tesheshi.com/