Është mbyllur përfundimisht epoka “De Biassi” në fubollin shqiptar. Një ditë pasi paralajmëroi largimin, por duke theksuar se kjo do të ndodhte në fundin e eliminatoreve të Botërorit, italiani i pankinës kuqezi e ka përshpejtuar largimin, duke deklaruar dorëheqjen e tij prek kësaj të mërkure.
“Nga sot, nuk jam më trajner i kombëtares. Sot, lë drejtimin e kombëtares pa pasur një skuadër tjetër që mund të punoj aktualisht. Po largohem për t’i lënë kohë trajnerit të ri që të njihet me skuadrën gjatë ndeshjeve që kanë mbetur”, tha De Biassi, gjatë një konference për shtyp me në krah kreun e FSHF-së, Armando Duka.
Ky i fundit ka shprehur pezmin e tij për këtë largim, duke bërë dhe komplimentin e madh për italianin që e çoi Shqipërinë për herë të parë në një Europian.
“Unë nuk mendoj që cikli i De Biasit ka mbaruar. Unë kam pritur gjithmonë fundin dhe më pas kam diskutuar për kontratën, pasi kam menduar që negociatat dëmtojnë qëllimin. Kam besim të patundur që De Biasi ka qenë trajneri më i mirë i kombëtares dhe që ka pasur suksesin më të madh deri më sot. Unë e falenderoj dhe miqësia jonë do të vazhdojë, ndoshta edhe më e fortë”, deklaroi Duka.
Largimi i De Biassit ndodh pas një fitoreje shembullore, 3-0 ndaj Izraelit, por dhe pas një serie rezulatesh zhgënjyese, deri me 5 humbje radhazi, të ndodhura fill pas Europianit.
“Pas Evropianit isha i bindur që mund të përmirësoheshim dhe kështu do të jetë, por pa mua”, shtoi më tej De Biassi.
Tashmë pritet të shihet se kush do jetë pasuesi i tij në krye të kuqezinjve, ndërkohë që Duka nuk ka përjashtuar dhe mundësinë e nje shqiptari në drejtimin e kombëtares së lënë nga italiani. /tesheshi.com/