Ish-kryeministri turk, Ahmet Davutoglu tha gjatë një interviste për Al Jazeera se Bosna e Hercegovina dhe Kosova do të ishin si Halepi i sotëm po të mos kishte ndërhyrje nga NATO.
“Po të ishte NATO-ja aktive në Siri, nuk do të kishim këtë problem,” tha Davutoglu gjatë një interviste e cila u transmetua live në Facebook. Davutoglu tha se regjimi i presidentit sirian Bashar al-Asad dëshiron të spastrojë etnikisht Halepin gjatë periudhës së tranzicionit presidencial në Shtetet e Bashkuara.
“Populli i Halepit janë hero dhe dëshiroj t’ua them vëllazërisht se ne në Turqi jemi gjithmonë pranë tij pa marrë parasysh përkatësinë e tyre fetare dhe etnike. Ne kemi marrë lajmin se është kryer një sulm në spitalin e fundit të mbetur në Halep, dhe jo vetëm në spitalin e fundit, por edhe në ndërgjegjen e fundit të njerëzimit. Është detyrë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të ndalojë këtë masakër dhe të ngrejë zërin e tij.
I bëj thirrje edhe Rusisë. Edhe pse kemi politika të ndryshme, të gjithë ne duhet të pajtohemi në qasje humanitare dhe ndëshkimin e krimeve të luftës”, tha ish-kryeministri turk.
Halepi si Stalingradi
“Ajo çfarë po ndodh në Halep është krim luftëe dhe situata është si ajo e Stalingradit në Luftën e Dytë Botërore.” Davutoglu tha se marrëdhëniet diplomatike midis Turqisë dhe Rusisë janë shumë të mira, dhe paralajmëroi takimin e kryeministrave të të dy vendeve në dhjetor, gjatë së cilës në fokus do të jenë bisedimet për luftën në Siri.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të shikuesve, Davutoglu tha se Turqia nuk është përfshirë në luftën në Siri për shkak të pretendimeve territoriale, por për shkak të luftës kundër terrorizmit dhe mbrojtjes së qytetarëve. Davutoglu përsëriti se Turqia ka pranuar tre milionë refugjatë, por gjithashtu vuri në dukje se vendi i tij trajton ata si shtetas të vet. “Ata janë vëllezërit dhe motrat tona”, tha ish-kryeministri turk.
I pyetur në lidhje me anëtarësimin e Turqisë në NATO dhe rrugëtimin në BE, Davutoglu tha se qasja e Turqisë është e bazuar në diplomacinë shumëkombëshe. “Ky vend konsideron marrëdhëniet me SHBA aq të rëndësishme sa edhe marrëdhëniet me Rusinë, Kinën apo një vend tjetër.” “NATO është e vetmja organizatë efektive e sigurisë së kombeve të ndryshme. Kjo nuk do të thotë se të gjithë kanë të njëjtat pikëpamje.
Sa i përket anëtarësimimit të Bosnës dhe Hercegovinës në NATO, ne dhe disa vende kemi qenë pro, ndërsa disa tjera kundër.” Duke folur në lidhje me BE-në, Davutoglu tha: “Shumë vende kanë një prirje historike ndaj Turqisë dhe Turqia është pjesë e Evropës. Pesë milionë turq jetojnë në BE. Turqia dëshiron të jetë anëtare e BE-së dhe ne jemi duke pritur për gati gjysmë shekulli.
Në muajt e fundit ne nuk kemi parë mbështetje në luftën kundër organizatës FETO dhe PKK andaj kërkojnë më shumë mbështetje. ” I pyetur në lidhje me zgjedhjen e Donald Trump-it për president të Shteteve të Bashkuara, Davutoglu tha se vendimet e tij si president i superfuqisë më të fuqishme botërore, do të kenë ndikim në gjithë botën. Ai tha se shpreson që këshilltarët e tij të arsyeshëm gjatë periudhës së tranzicionit t’ia bëjnë me dije Trump-it, i cili ka përdorur retorikën nxitëse gjatë fushatës zgjedhore, për seriozitetin e veprimeve të presidentit amerikan.
Haptazi me Trump-in
Së dyti, konsideron Davutoglu, funksioni presidencial do të mësojë Trump-in çfarë është drejtimi i duhur. “Vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet në Gjermani dhe Francë. Politika e Trump-it do të ketë një ndikim në këto zgjedhje. U bëj thirrje të gjithë udhëheqësve e botës që të jenë të hapur dhe të flasin me administratën amerikane me shumë përgjegjshmëri, në mënyrë që ai (Trump) ta sheh realitetin në terren. Por, në qoftë se ai bën një gabim, gjithë ne duhet të jemi të zëshëm. Nëse u ndalohet hyrja në SHBA muslimanëve e nëse meksikanët dëbohen si hebrenjtë e Evropës gjatë Luftës së Dytë Botërore, ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur. Por ne duhet të shohim dallimin në mes retorikës dhe veprimeve të Trump-it”.
Grushti i shtetit
I pyetur të komentojë për kritikat ndaj autoriteteve turke për shkak të arrestimeve masive pas tentimit të pasuksesshëm të grusht-shtetit në fillim të këtij viti, Davutoglu tha se kritikët shpesh harrojmë faktin e rëndësishëm – se Turqia është një demokraci, ku presidenti dhe parlamenti janë aty nga zgjedhje të lira, dhe mu ata janë sulmuar nga një grup ushtarak në mënyrën më brutale.
“241 qytetarë janë vrarë. Më shumë se 2,000 u plagosën. Ne kemi pritur solidaritetin e botës demokratike. Nuk kishte asnjë mbështetje reale. Nëse ju nuk e mbështesni qeverinë, ju duhet të paktën të mbështesni kombin që ka kundërshtuar grusht-shtetin. Disa shtete madje kanë pritur disa javë për të dënuar puçistët. Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga vendi ynë dhe demokracia”, tha në fund Davutoglu. Marrë nga Al Jazeera – /tesheshi.com/