Nga Bashkim Kastrati
Shënimi i ditës së punëtorëve – 1 Maji, në Kosovë siç duket nuk është kuptuar drejt. Shumica e qytetarëve të saj zgjedhin për ta festuar këtë ditë. Ata dalin për të hedhur valle në parqe të ndryshme të qyteteve, ndërsa një pjesë tjetër ia mësyjnë bregdeteve të Shqipërisë, Malit të Zi, duke mos harruar edhe Maqedonisë, për ta festuar këtë ditë. Në Kosovë vendet më të frekuentuara janë Parku i Gërmisë në Prishtinë, Drini i Bardh në Radac të Pejës, Banja e Pejës si dhe vende të tjera. Në këto vende mbizotëron një atmosferë shumë festive dhe e hareshme dhe askujt nuk i intereson simbolika se për çka janë mbledhur aty. Por se pse dhe çka festojnë, për çka vallëzojnë me aq pasion këta qytetarë, vetëm ata mund ta dinë.
Dje, mijëra qytetarë shkuan në parkun e Germisë në Prishtinë për të festuar 1 Majin, duke hedhur valle.
Dhe nga konsumimi i gjerave të ndryshme në këtë park janë lënë shumë mbeturina.
Komuna e Prishtinës sot ka njoftuar se ka larguar një sasi të madhe të mbeturinave nga ky park, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që ta ruajnë ambientin.
“Numër i madh i qytetarëve të Prishtinës dhe jo vetëm, kanë frekuentuar dje në Parkun Gërmia. Gjatë pastrimit të këtij parku që është bërë në mbrëmje, janë grumbulluar rreth 27 tonë mbeturina. Lusim qytetarët që të kujdesen sa më shumë, për një mjedis sa më të pastër. Ta ruajmë hapësirën publike!”, thuhet në reagimin e Komunës së Prishtinës.
Kjo festë dhe kjo dalldisje po ndodh çuditërisht kur dihet fakti se, Kosova vazhdon të jetë vendi më papunësinë më të madhe në Evropë, rrjedhimisht edhe vendi më i varfër. Edhe ata punëtorë që punojnë përballen me shkelje të shumta dhe nga me të ndryshmet të të drejtave të tyre. Puna pa kontrata, orari i tejzgjtur, puna gjatë fundjavës dhe gjatë ditëve të festave janë disa nga shkeljet e përditshme që ndodhin në Kosovë.
Ligji i Punës i cili e rregullon marrëdhënien e punës ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit nuk ka gjetur zbatim sa duhet. Përkundër miratimit të tij, shkeljet ndodhin për çdo ditë.
Duke marrë parasysh këtë situatë, është normale që 1 Maji, i njohur si dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, do të duhej të karakterizohej me protesta nga punëtorët, duke kërkuar të drejtat e tyre.
Por në protestën e organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Kosovës morën afërsisht 200 protestues, pasi që një pjesë e madhe kishin shkuar të festonin.
Duhet theksuar se 1 Maji që njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.
1 Maji lindi nga lufta botërore e punëtorëve për të afirmuar të drejtat e tyre e për të përmirësuar kushtet e jetesës. Pavarësisht se kremtimi i saj lidhet ngushtë me protestën e punëtorëve të Çikagos, përfunduar me gjak, historia e ditës së punëtorëve fillon më herët se sa viti 1886.
“8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”, kjo ishte parulla e hedhur për herë të parë në Australi në vitin 1855, e pastaj e përqafuar nga gjithë lëvizja sindikaliste botërore. U hap kështu rruga për protesta të përgjithshme dhe u kërkua një ditë, pikërisht 1 maji, në të cilën të gjithë punëtorët të ushtronin presion për të drejtat e tyre. /tesheshi.com/