Manchester City fiton derbin e qytetit me Manchester United dhe fillon “shqipton” fjalën titull në Premierligë. Skuadra e Guardiolës ia ka dalë të fitojë mbi rivalin kryesor të saj, duke u shkëputur me 11 pikë, pikërisht nga vendi i dytë që gjithsesi i mbetet skuadrës së Mourinhos.
Në një lojë të denjë për dy skuadrat kryesuese të Premier League, me raste nga të dyja skuadrat, ishin “citiziens” që kaluan në avantazh me David Silva në minutat e fundit të pjesës së parë. Por pa u mbyllur 45 minutshi, talenti Marcus Rashford barazoi rezultatin, duke ndezur entuziazmin e tifozëve.
Lojë argëtuese dhe e luftuar edhe në pjesën e dytë, ku klasi i shumë lojtarëve në fushë u ndërthur edhe me vendosjen taktike. Dhe ishte sërish mbrojtësi “sulmues” Otamendi që shënoi për “qytetarët”, duke i dhënë një tjetër fitore skuadrës së tij, e duke shënuar golin e katërt këtë sezon.
Me fitoren 1-2 të Manchester City mbyllet e gjithë ndeshja, e cila e ka kthyer në fluturuese skuadrën e Guardiolës. /tesheshi.com/