Kryeministri grek dhe presidenti turk janë takuar në Nju Jork, në një takim që ka zgjatur thuajse dy orë.
Në bisedën mes tyre, Cipras ka risjellë në vëmendje faktin se, pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti, Greqia ishte midis vendeve të para që do të shprehte publikisht përkrahjen për qeverinë e zgjedhur turke.
Ai citohet nga mediat greke të ketë thënë se, “Ajo [përpjekja për grusht shteti] ishte një përvojë e vështirë për Turqinë. Qëndrimi ynë mbi këtë është i qartë: qeveria greke dhe populli grek qëndrojnë gjithmonë në krah të një qeverie që ka ardhur në pushtet nëpërmjet zgjedhjeve.”
Aleksis Cipras i ka deklaruar Erdoganit se kushdo që ishte i përfshirë në puçin e 15 korrikut nuk ishte i mirëpritur në Greqi.
Ai ka bërë të ditur faktin se kërkesat për azil të tre prej tetë ushtarakëve turq janë hedhur poshtë tashmë në vendin e tij, duke e garantuar bashkëbiseduesin për zbatimin e ligjit ndërkombëtar.
Të dy shtetarët kanë diskutuar dhe për marrëveshjen për refugjatët midis BE-së dhe Turqisë, duke u shprehur se e mbështesnin vazhdimin e vënies së saj në zbatim. /tesheshi.com/