Kryeministri Edi Rama drejtoi sot mbledhjen e grupit parlamentar socialist ku u diskutuan disa çështje, mes të cilave edhe ajo për vetingun që shkaktoi debatet më të shumta.
Por një detaj, që nuk ka lidhje me diskutimet dhe debatet për çështjen e vetingut apo reformën zgjedhore, mund të shkaktojë një përplasje politike mes Ramës dhe PD-së.
Shkaku është një yll me pesë cepa që Rama mban në xhaketën e tij, të njëjtin që kishte vendosur edhe ditën kur qeveria u betua para presidentit Ilir Meta, para se të niste zyrtarisht funksionimin.
Duket se Rama ka rikthyer yllin në xhaketë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar.
PD po përgatit një draft ligjor që thuhet se do e depozitojë në Kuvend përmes të cilit synon të ndalojë shfaqjen në publik të simboleve të komunizmit. Nisma duket se është marrë seriozisht nga partia më e madhe e opozitës pas festës së Pezës më 16 shtator, ku u rishfaqën portretet e Enver Hoxhës.
Por a përbën ylli me 5 cepa simbolin e komunizmit?
Nëse i referohemi debateve të 27 viteve në demokracinë shqiptare ai është një nga simbolet e komunizmit.
Por, profesori Mihallaq Xhavo në një publikim të tijin, ka një tjetër këndvështrim, që mund ta lexoni më poshtë.
“Ylli me pesë cepa bën pjesë në hierarkinë e shumë simboleve shkollave mistike kudo në botë dhe ka pothuajse të njëjtin kuptim mistik. Ai simbolizon esencën e materies, është ajo e sintetizuar me pesë elementët e saj. Sipas okultizmit, por edhe të gjithë filozofisë antike, materia nuk është diçka e kundërt me shpirtin. Ajo, është pjesa pasive e një uniteti të madh ku shpirti është pjesa aktive. Ky unitet quhet Absolutja.
Toka, zjarri, uji dhe ajri janë katër elementët materialë, por pas tyre vjen elementi i pestë, eteri, ai që formon quintesencën. Në këtë shkrirje të pesë elementëve fillon purifikimi i materies, lidhja e saj me shpirtëroren, fillon ajo që quhet njerëzore, këtu fillon dimensioni njeri. Duke i skematizuar këto elementë në pesë segmente të vendosura sipas një rendi të caktuar formohet ylli me pesë cepa por po me ato segmente të vendosur ndryshe formohet pentagoni, kurse të vendosur në mënyrë horizontale, të pandërprerë në kohë, krijojnë pentagramin.
Si simbol magjik e psikodinamik i materies iu dha ose u mor nga materialistët dhe u përdor në terrenet komuniste me vetëdije tek të pavetëdijshmit, tek të verbrit për të shtuar verbërinë me vetëdije, nga grupe okulte komuniste në nivel botëror për qëllime historike të caktuara.
Simbolet janë ndërtuar nga të diturit, por janë simbolet ato që pastaj kanë modeluar njeriun. Ato janë shprehje e madhështisë njerëzore për të kuptuar universin por janë ato që kanë shkaktuar ndotjen më të madhe në shpirtin e njeriut dhe krimet më të mëdha në ndërgjegjen e tij.
Ylli me pesë cepa ndodhet në Egjiptin e lashtë ku eterikja me pesë degë ishte simbolizuar nga një prej hieroglifeve më të rëndësishme: Sba në formë ylli, e lidhur ngushtësisht me vdekjen dhe e vendosur mbi varre. Muret e brendshme në nekropolin e Tetit janë të mbushura me këtë simbol.
Kristianizmi në origjinën e tij e humanizoi nëse mund të thuhet kështu, hieroglifin Sba. Në katakombet romane ku organizoheshin ceremonitë mortore e konsumohej dreka rituale, i vdekuri përfigurohej ekzaktësisht me pesë segmente në formën e yllit me pesë cepa. Për këtë arsye në shumë tekste të shenjta lexohet që të vdekurit bëhen yje, kuptimi okult i së cilës ndodhet në faktin e thjeshtë se me vdekjen elementët shpërbëhen, pra vdekja është vetëm lirimi i elementëve tokësorë nga shpirtërorja, shpërbërje e simbolizuar nga ylli. Për shpërbërjen e një shoqërie, për të fituar terrene të huaja, për të fituar mbi armikun, u përdor i njëjti kod i yllit nga bërthamat sekrete të komunizmit botëror.
A ishin të vetëdijshëm për këto sekrete të yllit…? Në letrat e Tarokut që përdoren për të parathënë të ardhmen origjina e të cilave thuhet se vjen nga misteret e piramidave, që bazohen në filozofinë hebraike të Kabalës, por në formën që na paraqiten sot, zë një vend edhe ylli me pesë cepa.
Tek arkanet minore lidhur me pasurinë, paraqitet dora e fatit me një yll të madh që sipas tyre është rrënja e potencës mbi tokë, po të lexohet pozitivisht e në të kundërtën, do të thotë kurnacëri, dëshirë me zotëruar gjënë e tjetrit, mungesë besimi në botën shpirtërore, a thua se gjithë lumturia varet nga kënaqësitë materiale.
Për kabalistët, Pema e jetës është një ilustrim simbolik, një sistem ku forca perceptohet tek forma, pra për ta forca edhe forma janë në të vërtetë një e vetme, forma nuk është gjë tjetër veçse forcë e organizuar. Edhe në këtë sistem njohës figura është force, ku forca vitale organizohet nga simboli, transmetohet me të njëjtë frekuencë në distancë tek simboli tjetër i ngjashëm i cili bën që forca të rilindë në një realitet të ri. Këtë ligj sekret të trasmetimit në distancë të energjive psiko kozmike e përdorën nazistët për qëllime antinjerëzore nëpërmjet simbolit të lashtë të svastikës, famëkeqi kryqi i thyer i Hitlerit. Simbolet janë përdorur gjithmonë nga diktaturat në dominimin e shkatërrimit të territorit psiko- kozmik të kundërshtarit, si pjesë e realitetit, sado fantastiko-shkencore t’i duket kjo dikujt.
Po komunistët e njihnin këtë sekret antik. Një gjë është e sigurt: ato e përdorën për disa dekada, dekada që dëshmojnë për efektin shkatërrues edhe të simbolit yll me pesë cepa; ai ndau njeriun nga natyra e tij, vuri materien kundër tij, shkatërrojë nëpërmjet yllit energjitë shpirtërore. Mbi yllin u vendos çdo vlerë por vuajtjen më të madhe nuk e pati egoizmi i vogël njerëzor, ai vuan njëlloj në çdo sistem, vuajtjen e pati vlera shpirtërore, sa shumë do të ketë peshuar mbi kokat e shqiponjës magjike ai pesëcepësh në flamurin tonë .
Po kështu, në Lindjen e Largët, në Kinë, informacioni i parë i shkruajtur mbi pesë gjendjet e materies në formë ylli me pesë cepa i takon periudhës midis shekullit X dhe V para Krishtit dhe vazhdon të mësohet në shkollat tradicionale të mjekësisë kineze e në artet marciale edhe sot.
Ylli me pesë cepa bën pjesë në ikonografinë e lindjes së Krishtit, është prezent në lindjen e tij, tregon misterin e mishërimit, e lidhjes së shpirtit me tokën.
Përse duhet të preokupohemi sot, në kohën e kompiuterit e të ultraelektronikës, për këto fantazma të së kaluarës ose besime supersticioze? Sot është e mundur të informohen masat e gjera për shumë të vërteta, të mbajtura sekret, dhe ky është fundi i Botës, fundi i një bote të keqinformuar, jo përmbytja dhe shkatërrimi i Tokës, por shkatërrimi i një koreje artificiale dijesh për qëllime pushteti dhe brezat pas nesh do të tallen e do të na pikturojnë si të mbyllur në kafaze të arta injorance. Ftesa jonë për rishikimin e kodeve të fshehura në shumë simbole, në rastin konkret të yllit me pesë cepa, nuk është intelektuale, nuk është çështje thjesht kulturore, që me pak fjalë do të thotë që t’i shtojmë diçka më tepër asaj që dimë. Spostimi i vëmendjes në kuptimin e trukut të përdorur për manipulimin e vetëdijes nëpërmjet simboleve është jetik për një shoqëri që do të rinovohet, për shoqërinë vitale të së ardhmes, pasi një e ardhme me të paditur është një e ardhme e dështuar”, shkruan profesor Mihallaq Xhavo. /tesheshi.com/