Mund ta quajmë dhe BunkArt 3, por nuk ka lidhje me Edi Ramën; dhe kësisoj nuk ka pse shënjestrohet politikisht; aq më pak të kallet për të njëjtat arsye nga ndonjë turmë e zemëruar me “të gjatin” në pushtet.
Ai është prej bunkerëve më të rrallë të tokës së shqipeve nën Enver, jo prej formës, jo prej llojit të betonit, por prej vendndodhjes. Bunkerët hasen gjithandej, deri dhe në lartësi malesh; por që të gjendej një i tillë në zemër të një qyteti, këtë “fat” mund ta kishte vetëm Saranda, që tashmë do e shfrytëzojë si një resurs të shtuar turistik.
Ky bunker ka dalë në dritë së fundi, si pasojë e punimeve në një ndër rrugët kryesore të qytetit, atë paralel me pedonalen e lënë nga Jashar Mezenxhiu dekada më parë, kur ky i fundit ishte sekretar i parë në qytetin bregdetar të skajit më jugor të vendit.
Deri dje, qëndronte “i fshehur”, ku vetëm një sy i vëmendshëm mund t’i dallonte frengjinë prej nga ku armët e lirisë do shfrynin zjarr kundër armikut që mund të vinte nga deti.
Por ai, si qindra sosh në të gjithë Shqipërinë, nuk arritën dot ta kryejnë këtë mision atdhetar në emër të lirisë, duke shërbyer vetëm për nevoja personale të natyrës fiziologjike të disa llojeve.
Dhe tashmë, ky bunker i cili daton si qendër zjarri në vitin 1978, do pastrohet dhe do vihet në funksion të kuriozitetit njerëzor me theks turistik, falë idesë dhe projektit të Lefter Cekos, piktor dhe skulptor i njohur sarandiot, themelues dhe drejtor i Galerisë së Arteve në këtë këtë qytet.
Siç mund të vërehet dhe nga fotoja e projektit, ajo do ketë një pamje ndryshe; ndërkohë që brenda është planfikuar të ketë një armë si për të plotësuar dekorin luftarak të misionit të bunkerit.
Diçka e vogël në përmasë, por shumë e madhe në impakt. Diçka e thjeshtë në dukje, por shumë tërheqëse në përmbajtje.
Ky BunkArt i llojit minor, pritet të jetë gati për sezonin e afërt turistik në Sarandë, si pjesë e një rikonstruksioni të rrugës ku ndodhet. Dhe nuk duhet harruar që pak më tutje do jetë dhe busti i Hillary Clinton-it, inaguruar muaj më parë por hequr përkohësisht për shkak të punimeve rikonstruktuese të rrugës.
Pra, dy simbole, njëri lëndor dhe tjetri frymor, dy botë shumë larg njëra-tjetrës që vetëm një vend si Shqipëria, me rrjedhat e saj historike tekanjoze deri në çmerritje mund t’i vendosë kaq pranë. /tesheshi.com/