Presidenti turk, Erdogan është shprehur sërish i ashpër ndaj vendimit të Presidentit Trump që njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Duke folur në një kongres të partisë së tij, Erdogan i është referuar qytetit të shenjtë të të tre besimeve me emrin e vjetër Kuds, dhe thënë se nuk do e lënë atë në dorë të një shteti, siç tha, vrasës.
“Kudsi është drita e syve tanë, ne nuk do ta braktisim Kudsin në mëshirën e një vendi vrasës të fëmijëve. Ne Kudsin nuk do ta lëmë në ndërgjegjen e një shteti që nuk ka asnjë vlerë tjetër veçse të pushtojë dhe plaçkisë”, tha Erdogan.
Dhe si për ta bërë të qartë kriterin moral në gjykimit ndaj Izraelit, kreu i shtetit turk tha
“Për ne nuk ka rëndësi se kush është persekutuesi apo ai që persekutohet. Ne qëndrimin tonë nuk përcaktojmë sipas identitetit, gjuhës, fesë apo forcës së bashkëbiseduesve tanë, por ne e përcaktojmë atë duke vërejtur se kush është në të drejtë apo të gabuar. Ne nuk do të hezitojmë të qëndrojmë përballë mizorit edhe sikur ai të jetë vëllai ynë”, theksoi Erdogan.
“Në Stamboll do të mbledhim në një samit të jashtëzakonshëm liderët e vendeve islame, krerët e qeverive. Me hartën e rrugës që ne do të përcaktojmë këtu do të tregojmë se nuk është aspak e lehtë zbatimi i këtij vendimi”, tha kreu i shtetit turk, cituar nga Anadoly. /tesheshi.com/