Dikur pjesë të legjendares Rrugë e Mëndafshit, malet Pamir mund të jenë tashmë ndoshta aventura e fundit në botë e pakompromentuar nga civilizimi.
Peizazh i pakohë
Njohur në persisht si “Bam-i-Dunya” (Çatia e Botës), malet Pamir në Azinë Qendrore – te vendosura kryesisht në Gorno-Badakhshan, një rajon autonom në Taxhikistanin lindor që kufizohet me Kinën, Kirgistanin dhe Afganistanin – janë një prej vargjeve malorë më të lartë në planet. Dikur pjesë e legjendares Rruga e Mëndafshit, zona ka qenë totalisht e mbyllur për të huajt gjatë sundimit sovjetik dhe vetëm së fundmi është hapur për udhëtarët e guximshëm.
Rruga përmes maleve
Gorno-Badakhshan lidhet me botën e jashtme nga rruga që ka hyrë në legjenda, autostrada e Pamirit, që përshkon malet Pamir përmes Afganistanit, Uzbekistanit, Taxhikistanit dhe Kirgistanit. Kjo është rruga e dytë e shtruar më e lartë në botë (pas autostradës Karakoram të Pakistanit), me pikën më të lartë në kalimin Ak Baïtal, në Taxhikistan, 4,655 metra. Rajoni i Gorno-Badakhshan mund të vizitohet vetëm nga maji në shtator, për shkak se dëbora e bën rrugën të pakalueshme gjatë dimrit.
Dëshmitarët e një të kaluare të lavdishme
Kujtesa të pozicionit domethënës të Pamirit si një prej degëve jugore të Rrugës së Mëndafshit mund të shihen përgjatë gjithë rajonit. Fortesa Yamchun e shekullit të tretë është një nga monumentet më mbresëlënëse në luginën Ëakhan, që shtrihet përgjatë kufirit afgan. Ndërtuar në majë të një shkëmbi, ajo luante një rol kyç në Rrugën e Mëndafshit duke kontrolluar trafikun, mallrat dhe sigurinë.
Afganistani në horizont
Një ushtar taxhik qëndron në rrënojat e fortesës Khakha të shekullit të 4-t në luginën Wakhan, duke vështruar drejt Afganistanit, që ndodhet vetëm pak qindra metra më tej, në anën tjetër të lumit Panj.
Kufiri patrullohet rëndshëm për arsye sigurie, por çdo javë, një treg ndër-kufitar mbahet në fshatin Ishkachim, ku mblidhen së bashku tregtarë dhe klientë nga të dyja vendet nën sytë e kujdesshëm të ushtrisë.
Trashëgimi dalluese
Duke qenë se zona është kaq e izoluar, populli Pamiri ka një identitet të fortë kulturor që shënohet në mënyra të ndryshme nga pjesa tjetër e Taxhikistanit. Njerëzit Pamiri janë në pjesën më të madhe ismailianë dhe i përkasin degës shiite të Islamit, ndërsa pjesa më e madhe e taxhikëve janë muslimanënë suni. Ata kanë po ashtu gjuhën e tyre sikundër edhe artizanatin, bizhuteritë dhe tradita të spikatura muzikore e kërcimi. Çdo korrik, kryeqyteti Khorog organizon “Çatinë e Festivalit të Botës”, ku kërcimtarët dhe artizanët nga gjithë rajoni i Pamirit – ashtu si edhe komunitetet e tjera malore përgjatë rrugës historike të Mëndafshit – mblidhen së bashku. Festivali nuk është shndërruar vetëm në një platformë për integrimin kulturor, por siguron edhe mbrojtjen e trashëgimisë unike të zonës.
Sytë Pamiri
Në vendet e Azisë Qendorore si Taxhikistani, Uzbekistani dhe Azerbajxhani, vetullat e bashkuara konsiderohen si simbol i bukurisë dhe pastërtisë për gratë dhe virilitetit për meshkujt. Nëse nuk ka bashkim natyral të vetullave, apo nëse ky tipar është i dobët, gratë përdorin një shënues për ta theksuar atë.
Kjo vajzë e re nga Ishkachim ka udhëtuar 100 kilometra nga veriu për në Khorog me rastin e aktiviteteve muzikore, e pajisur shkëlqyeshëm me veshjet tradicionale të fshatit të saj.
Burrat dhe tufat e tyre
Pavarësisht festimeve të tyre shumëngjyrëshe, jetesa për popullsinë pamire është rudimentare. Aktiviteti ekonomik këtu lidhet më së shumti me bagëtitë dhe minierat, dhe shumë njerëz jetojnë me kushte minimale. Këtu, një djalë i ri përpiqet të mbledhë tufën e tij të buajve për t’i kthyer në fshatin Bulunkul për natën. Buajt, ashtu si kafshët e tjera që jetojnë këtu, dhitë dhe delet, janë vitale për mbijetesën e fshatarëve, pasi sigurojnë mishin që e shesin dhe e konsumojnë. Ka fare pak mundësi për punësim në zonë.
Larg botës
Në Bulunkul, 20 familje jetojnë në shtëpi të thjeshta të ndërtuara me tulla balte, dru dhe gurë. Nuk ka rrugë të shtruara, rruga më e afërt është autostrada Pamir, 16 kilometra larg.
“Në Bulunkul, kemi vetëm një dyqan të vogël në një shtëpi që shet gjëra të tilla si oriz, vaj dhe çokollata të vogla. Një herë në 15 ditë ndoshta, vjen një kamion nga Khorog, që furnizon dyqanin”, thotë Zainab, banor në Bulunkul.
Zgjedhjet për të ardhmen
Rreth 50 fëmijë ndjekin shkollën e vetme të fshatit, që ka vetëm dy mësues. Kur ata lënë shkollën, rreth moshës 18 vjeç, disa mbeten në fshat për t’u kujdesur për familjet dhe tufat e bagëtive. Të tjerët, pjesa më e madhe burra, drejtohen për në Khorog apo gjetkë në Taxhikistan – ose zhvendosen drejt Rusia për të kërkuar punë. Sidoqoftë, populli pamiri është elastik dhe preferon të qëndrojë.
“Këtu në Bulunkul, ne jemi mësuar me këtë lloj jetese. Kemi kafshët tona, shtëpitë tona, fëmijët tanë. Çfarë na nevojitet më shumë? Jeta jonë është këtu. Unë kam qenë në Khorog shumë herë por nuk do doja kurrë të jetoja në një qytet. Ne jemi të lumtur këtu”, thotë Sakina, banor i Bulunkul.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/