Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell jep sinjale se dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të nisë shpejt.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Borrell thotë se tani Kosova ka qeveri të re dhe se pret që dialogu të nisë, transmeton Klan Kosova.
“Qeveria e Kosovës është formuar një javë më parë. Kosovarët nuk kanë pasur qeveri dhe nuk kanë mundur që të nisin bisedimet, por tani kanë qeveri”, thotë Borrell.
Shefi i diplomacisë evropiane thotë se ai me gjasë nuk do të ndërmjetësojë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe se BE-ja do të duhej të emëronte një të dërguar të posaçëm. I pyetur se a do të jetë ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak në këtë pozitë, Borrell thotë se këtë detyrë duhet ta marrë dikush që ka njohuri për rajonin.
“Nuk ka rëndësi se kush do të jetë, por mendoj se na duhet dikush që e njeh rajonin, që është një diplomat me eksperiencë dhe që ka vullnet të angazhohet sepse e dini se kjo punë kërkon punë 25 orë në ditë, çdo ditë. Nuk mund të punoni për një javë dhe të shkoni të bëni diçka tjetër”, shprehet Borrell.
Shtëpia e Bardhë ka emëruar ambasadorin Richard Grenell si të dërguar në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas Borrell, duhet pyetur SHBA-ja se pse është përfshirë në këtë proces, pasi sipas tij, BE-ja ndihmon shumë Kosovën me burime financiare.
Shefi i diplomacisë së BE-së thotë se unioni do të ndihmojë Kosovën dhe Serbinë në procesin e bisedimeve, por ai thotë se u mbetet palëve që të punojnë drejt arritjes së një marrëveshjeje.
“Dialogu duhet të jetë ndërmjet tyre. Ne nuk do ta diktojmë, ata duhet të dialogojnë mes tyre, në mënyrë që të arrijnë marrëveshje ndërmjet tyre. Ne mund t’u ndihmojmë, ne mund t’i shoqërojmë, mund të krijomë stimuj, por nuk mund të marrim rolin as të serbëve e as të Kosovës. Është diçka që duhet të bëhet nga ta”, thotë Borrell.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. Bisedimet u ndërprenë në fundin e vitit 2018, pasi Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia.
BE-ja po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara, kanë kërkuar që Kosova të heqë taksën në mënyrë që të nisë dialogu.
Qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti ka thënë se taksa 100 për qind do të hiqet dhe do të zëvendësohet me masën e reciprocitetit.
Së fundmi, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka kërkuar nga Kosova që të heqë taksën, por pa vendosur reciprocitet dhe në anën tjetër, ka kërkuar nga Serbia që të ndalë fushatën për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës. /REL/