Në rrjetet sociale, barcaleta që qarkullon për Murin e Madh Kinez, si produkti kinez që ka zgjatur më shumë se tre ditë e për këtë arsye është shpallur mrekulli e botës, duket se është më aktuale se kurrë.
Punimet e restaurimit të seksioneve më të bukura të Murit të Madh duket se janë kryer në mënyrë trashanike, duke dëmtuar rëndë strukturën në pjesët e saj më historike. Puna ka nisur për të shpëtuar murin nga rrënimi, por duket se e ka kthyer atë në një rrugë gjarpëruese pa domethënie majë kodrave.
Ashtu sikundër gjithë lajmet që vijnë nga Kina edhe ky lajm vjen me vonesë, pasi shqetësimin e ka ngritur një gazetë e Pekinit, “Beijing News” dhe më pas ka gjetur jehonë në median ndërkombëtare.
Kështu, sipas medias, zyrtarët kinezë janë vendosur në shtyllën e turpit nga shtypi i Pekinit për shkak të rinovimeve që kanë lejuar të kryhen në një seksion 700-vjeçar të rrënuar, por shumë të dashur nga publiku në Murin e Madh të Kinës, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Projekti aq shumë i kritikuar përfshin 8 kilometra të seksionit të Xiaohekou, ku kanë mbetur ende pjesë të paprekura, e që tashmë ka nisur të njihet si “Muri i Madh më i bukur dhe më i paprekur”.
Punime të pjesëve mbrojtëse të murit dhe kullat e rojes janë rrafshuar në projektin e restaurimit, që u njoftua zyrtarisht për të parandaluar përkeqësimin e situatës, shkaktuar nga elementë natyrorë.
Ka raportime se në majë të murit ka nisur të grumbullohet rërë dhe materiale të tjera, me qëllimin e mbrojtjes së murit, por duke i dhënë atij pamjen e një shtegu të ngritur biçikletash që shkon përmes majave të thepisura të kodrave.
Shefi i zyrës së antikiteteve në provincën Liaoning, Ding Hui, u citua nga gazeta “Beijing News” do të thoshte se puna u përfundua dy vjet më parë, pas tre muajsh punime, si pjesë e planit restaurues të qeverisë.
“Ishte vërtet një riparim i shëmtuar”, pohoi ai.
Seksioni i murit ndërtuar gjatë dinastisë Ming, në vitin 1381, shtrihet në provincën Suizhong përgjatë kufirit me provincën Hebei.
Një zyrtar tjetër i kontaktuar me telefon në zyrën qeveritare për kulturën që mbikqyr provincën, tha se ka dëgjuar se plani i restaurimit është miratuar në nivel të qeverisë qendrore nga administrata për reliket kulturore.
“Muri i vjetër ishte dëmtuar shumë keq për një periudhë të gjatë historike dhe puna e restaurimit synonte ta ruante atë nga shkatërrimi dhe rrënimi prej ujërave të shiut”, tha zyrtari, i cili, si shumë burokratë qeveritarë kinezë, refuzoi të japë emrin për shkak se nuk ishte i autorizuar të fliste me median.
Shumë nga raportimet për deformimin e murit pas restaurimit kanë të bëjnë me ruajtjen e autintecitetit e tij, pasi janë përdorur materiale të ndryshme, përfshirë gëlqeren, llaçin e betonin në mjaft vende.
Dong Yaohui, zv.kryetar i shoqërisë së studimeve për Murin e Madh e cilësoi punën restauruese si “elementare dhe të vrazhdë”.
“Kjo lloj pune riparuese dëmton vlerësimin që populli ka për historinë dhe kulturën e Murit të Madh, duke dëmtuar edhe kanalin e dialogut mes popullit dhe trashëgimisë kulturore”, tha ai, cituar nga “Beijing News”.
“Kjo lloj sjellje është qesharake”, tha ai. Komentatorë të ndryshëm online bien dakord dhe janë mizorë në kritikat e tyre.
Kina ka miratuar gjatë viteve të fundit disa ligje për të mbrojtur Murin e Madh, seksione të mëdha të të cilit janë prishur me buldozerë, përdorur për material ndërtimi apo janë restauruar rëndshëm për t’u komercializuar.
Muri daton nga viti 220 para erës sonë, kur Kina bashkoi muret ekzistuese dhe fortifikatat për të mbrojtur veten kundër pushtimit nga tributë veriore.
Ndërtimi vijoi gjatë dinastisë Ming deri sa muri u shndërrua në strukturën më të madhe ushtarake të botës.
Vlerësimet për gjatësinë e tij variojnë, por sipas UNESCO-s, që e shpalli atë pjesë të trashëgimisë kulturore botërore në vitin 1987, dikur ai zgjatohej për më shumë se 20 mijë kilometra.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/