Nga Mensur KRASNIQI
Një situatë shumë konfuze është krijuar në qëndrimet e bashkëpartiakëve të VMRO-së mbi “bombat” e Zaevit. Ata kanë qëndrime diametralisht të kundërta njëri me tjetrin. Ndërsa nga bashkëpartiakët e saj nga radhët e VMRO-së u propozua ligj për ndalimin e publikimit të bombave nga bisedat e përgjuara, deputetja e po kësaj partie Silvana Boneva, përmes rrjetit social në Facebook iu drejtua liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, duke e thirrur që t`i publikoje “bombat” në të cilat dëgjohet zëri i saj, duke vërtetuar se nuk ka thënë asnjë fjalë jo morale ose procedurë të parregullt. Në këtë formë nuk dihet se kush kë dëshiron të kursejë duke propozuar ligjin për ndalimin e bombave, mirëpo deputetja Boneva nuk duket shumë e frikësuar nga përmbajtja e çfarëdo lloji të bisedave telefonike, edhe pse në opinion qarkullojnë zëra për një aferë eventuale dashurie mes saj dhe deputetit të BDI-së, Talat Xhaferi.
“Përsëri publikisht e thërras Zaevin, që në vend të fshihet prapa portaleve të dirigjuara dhe grupeve në Facebook, të mbledhë forca dhe burrërisht, si lider kryesor i opozitës, i cili me projektin ‘E vërteta për Maqedoninë’ do të na kthejë ‘lirinë dhe demokracinë’, të dalë dhe publikisht të publikojë biseda të miat nga bombat e tij, ku kam thënë një fjalë të vetme jo morale, ose të kam bërë diçka të pamoralshme. Në të kundërtën, le të dalë publikisht dhe le të kërkojë falje për metodën e pandershme për eliminimin tim politik”, shkroi Boneva.
Pastaj, deputetja potencoi se në të kundërtën do t`i informojë të gjitha ambasadat për shpifjet ndaj saj.
“Nëse edhe më andej ai, dhe ato rreth tij, si dhe grupi i deputetëve të LSDM-së dhe koalicionit vazhdojnë të heshtin, deri te të gjitha ambasadat do të dërgoj të gjitha shpifjet, të shohin se si Zaev, LSDM dhe koalicioni merren me një anëtarë nga ekipi bisedues nga VMRO-DPMNE. Arsye për heshtje nuk ka. Ligj për ndalimin e bombave nuk ka, sidomos kur duke u fshehur prapa saj, po tenton që të më degradojë politikisht dhe njerëzisht”, thuhet në publikimin e Silvana Boneva në Facebook.
Ditën e djeshme, Shërbimet për Informim në Parlamentin e Maqedonisë njoftuan se do të tërhiqet nga procedura parlamentare propozim-ligji për ndalimin e osedimit, përpunimit, publikimit dhe dispozicionin e materialeve të cilat dalin nga përgjimet e bisedave telefonike./tesheshi.com/