Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është një sulm ndaj parimeve që kemi vendosur pas Luftës së Dytë Botërore, tha sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se nëse shkeljet e parimeve të së drejtës ndërkombëtare të vendosura pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat Rusia po bën tani, mbeten të pandëshkuara, kutia e Pandorës do të hapet dhe do të përsëritet në të gjitha pjesët e botës.
“Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është një sulm ndaj parimeve që kemi vendosur pas Luftës së Dytë Botërore. Nëse lejojmë që kjo të shkelet pa ndëshkim, atëherë do të hapim ‘Kutinë e Pandorës’ në mënyrë që ajo të përsëritet vazhdimisht në të gjitha pjesët e botës”, tha Blinken pas bisedimeve me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Nga ana e saj, kryetarja e Komisionit tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm të miratojë sanksione të reja të ashpra nëse presidenti rus Vladimir Putin nuk e ndal luftën që ka nisur.
“Ne jemi të vendosur dhe të bashkuar. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë në krah të Ukrainës dhe popullit të saj trim,” tha von der Leyen, duke shtuar se Putini ishte gjithnjë e më i izoluar, por që, për fat të keq, ushtria e tij vazhdoi të sulmonte civilët dhe të shkatërronte.
Ajo tha gjithashtu se po bëhet gjithçka për krijimin e korridoreve humanitare në Ukrainë.
Blinken vlerësoi Bashkimin Evropian për veprimin e tij të shpejtë, sepse ai vendosi sanksione kurrë më të ashpra kundër Rusisë në një kohë të shkurtër rekord.
“Dukej e pamundur vetëm një javë më parë,” tha Blinken. /tesheshi.com/